Titullarët e institucioneve dhe Sekretarët e Përgjithshëm do të kenë një mandat 5 vjeçar me të drejtë rinovimi. Kështu thuhet në projektligjin për Nëpunësin Civil, i cili do të hidhet për konsultim publik.
Ky ndryshim synon të garantojë më shumë transparencë, stabilitet dhe profesionalizëm në drejtimin e institucioneve publike, duke kufizuar ndërhyrjet diskrecionare dhe duke forcuar parimin e meritës në përzgjedhjen e drejtuesve të lartë.
Projektligji parashikon gjithashtu përmirësimin e modelit të Shërbimit Civil, me qëllim rritjen e efikasitetit të rekrutimit dhe menaxhimit të burimeve njerëzore në administratë, si dhe krijimin e kushteve për tërheqjen e profesionistëve të kualifikuar nga jashtë shërbimit civil.
Sipas ndryshimeve të propozuara, kufiri për kandidatët që mund të rekrutohen nga jashtë administratës rritet nga 20% në 50% të pozicioneve vakante brenda një viti, ndërsa struktura e pagave do të riformatohet për të inkurajuar performancën dhe motivimin e punonjësve.
Njoftimi nga Qeveria
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni ka publikuar për konsultim publik projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr.152/2013, “Për Nëpunësin Civil”, të ndryshuar.
Si pjesë e propozimeve për ndryshim në ligjin aktual është përmirësimi i modelit të Shërbimit Civil në Shqipëri, duke rritur efikasitetin e procesit të pranimit dhe procedurave menaxheriale për shërbimin civil, me qëllim krijimin e kushteve për tërheqjen e sa më shumë profesionistëve të kualifikuar nga jashtë Shërbimit Civil. Propozohet për më shumë transparencë, fleksibilitet dhe siguri të shtuar në rekrutim dhe trajtimin e nëpunësve të nivelit të lartë.
Sipas ndryshimeve të propozuara do të rritet kufiri për kandidatët që mund të rekrutohen nga jashtë, nga 20% në 50% të pozicioneve vakante brenda administratës publike brenda një viti.
Do të ketë një strukturë të riformatuar pagash që inkurajon performancën dhe rrit motivimin e punonjësve.
Një administratë profesionale dhe e mbështetur në merita qëndron në bazën e përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe forcimi i saj synohet të arrihet edhe nëpërmjet këtyre ndryshimeve ligjore të propozuara.
Projektligji është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e Programit “BE për Mirëqeverisjen” dhe ekspertët e OECD/SIGMA, në bashkëpunim me ministritë, institucionet e pavarura dhe prej datës 31 tetor 2025 do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi publik me të gjitha grupet e interesit.
Ndërhyrjet kryesore në legjislacion adresojnë dhe zgjidhin një sërë aspektesh të forcimit të funksionimit të shërbimit civil në praktikë si më poshtë:
Standard unik rekrutimi për të gjithë administratën publike:
Rekrutimi me bazë merite shtrihet në të gjitha institucionet publike që janë ose jo pjesë e shërbimit civil.
Procesi administrohet nga një Komision Kombëtar i Atestimit me përfaqësim nga qeveria, institucionet e pavarura dhe qeverisja vendore.
Model i ri i përmirësuar për pranimin në nivelin hyrës zhvillohet me dy faza:
Testim kombëtar i uniformizuar, i zhvilluar nga DAP për të gjithë kandidatët e interesuar;
Konkurs specifik për pozicionin, i zhvilluar nga institucioni që ka vendin vakant, nën mbikëqyrjen e DAP.
Ristrukturim i modelit të rekrutimit për nëpunësit e nivelit të lartë drejtues
Transparencë, fleksibilitet dhe siguri e shtuar në rekrutim dhe trajtimin e nëpunësve të nivelit të lartë;
Shpallje e pozicioneve individualisht për çdo vakancë;
Sekretarët e Përgjithshëm dhe titullarët e institucioneve do të kenë mandate 5-vjeçare të rinovueshme;
Kufizohen ndërhyrjet diskrecionare në përzgjedhje.
Sistem më i hapur dhe më fleksibël karriere për më shumë ekspertizë të re dhe më të madh profesional
Qarkullim më i madh midis profesionistëve mes sektorit publik dhe atij privat;
Rritje e kufirit për kandidatët që mund të rekrutohen nga jashtë, nga 20% në 50% të pozicioneve vakante brenda administratës publike brenda një viti;
Mundësi e shtuar për rikthimin në shërbimin civil pas eksperiencave jashtë tij.
Strukturë e riformatuar pagash që inkurajon performancën dhe rrit motivimin:
Hiqet avancimi automatik në shkallët e pagës;
Parashikohet bonus vjetor për performancë të lartë, për një përqindje të kufizuar punonjësish;
Sistem i ri vlerësimi performance me 5 nivele nga 4 nivele që parashikohet aktualisht.
 
			
