Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Londër pjesë e panelit të Chatham House, së bashku me liderët e vendeve fqinje me temë ‘Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian’, ku u pyet për pozitën e Kosovës sot në Ballkan dhe për përparimin e saj si shtet drejt anëtarësimit në BE.
Rama, tha se Kosova duhet të plotësojë pikat e dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe të shohë përpara, pavarësisht asaj qe merr përsipër Serbia të bëjë.
Ndër të tjera, kryeministri tha se nuk ka asnjë çështje territoriale të hapur për Kosovën.
“Nuk shoh çështje territoriale midis Kosovës dhe askujt tjetër. Terrori i Kosovës është i përcaktuar. Kosova është republikë, një shtet i ri demokratik i njohur nga fuqitë e mëdha dhe ende jo i njohur nga 5 vende në BE. Në këtë drejtim, nuk shoh problem. Nga ana tjetër, është detyra e Kosovës që të shtyjë përpara dhe të bindë pjesën tjetër për opozicionin e konsoliduar sa i takon vlerave në BE.
Mendimi im është i mirënjohur dhe unë mendoj që të jetë e suksesshme, Kosova duhet të harrojë Serbinë dhe të realizojë të gjitha pikat që kanë të bëjnë me dialogun e ndërmjetësuar nga BE pavarësisht nga Serbia.
Të përmbushin çdo pikë, dhe t’ia lënë topin në fushë Serbisë. Jo të lënë çështjen e Serbisë të shndërrohet në një çështje fajësimi mes të dyjave. Ky është mendimi im modest. Unë respektoj plotësisht atë që vendosin udhëheqësit e zgjedhur të Kosovës dhe vendeve të tjera”, tha Rama.