Ndërsa vijon operacioni për lirimin e hapësirave publike në të gjithë vendin, kryeministri Edi Rama u shpreh sot se mandati i katërt ka nisur dhe do të bitiset me një përkushtim të posaçëm për hapësirat publike, zonat turistike, parqet kombëtare, mjedisin në tërësi.
Në shënimet e javës në nisje të episodit të parë të sezonit të ri të podkastit “Flasim”, Rama u ndal tek vendimi, siç u shpreh ai, për të ndryshuar bazën ligjore të betejës kundër antiligjit në ndërtim
Këto ndryshime sipas Ramës, janë mishërim i këtij përkushtimi për t’ia kthyer hapësirat publike qytetarëve e komuniteteve, për t’i çliruar trotuaret e sheshet e lagjeve nga zaptimet, për të mbrojtur pasuritë dhe bukuritë vendit nga zaptuesit e nga grabitësit.
“Nuk është aksion, po mision për t’u përmbushur, me durim, këmbëngulje, forcë të hekurt ligjore”, tha ai.
Pak ditë më parë, Kryeministri Rama paraqiti ndryshimet ligjore që tashmë kanë hyrë në fuqi.
Një ndër masat e reja për forcimin e kontrollit mbi territorin është krijimi i një “liste të zezë” për shkelësit e lejeve të ndërtimit, e cila do të përjashtojë nga marrja e lejeve për 5 vite individë dhe kompani që shkelin ligjin.
Kjo listë do të përfshijë zhvillues, shoqëri, administratorë, ortakë dhe pronarë përfitues, dhe do të mbahet e përditësuar nga Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe të Ujit.