Kryeministri Edi Rama, në episodin e parë të sezonit të ri të podcastit “Flasim”, deklaroi se kandidatura e Ogerta Manastirliut për kryetare të Bashkisë së Tiranës ka rezultuar si më e mbështetura në të gjitha sondazhet dhe anketimet e zhvilluara.
“Në të gjitha anketimet dhe në të gjitha rrugët e testimit të opinionit, ti ishe kryetarja e bashkisë që shumica donte, me diferencë nga çdo lloj emri tjetër që kemi testuar,” u shpreh Rama, duke theksuar se vendimi për kandidimin e saj ishte i thjeshtë, pasi vinte nga një kërkesë e qartë e qytetarëve.
Nga ana e saj, Ogerta Manastirliu falënderoi për besimin dhe e cilësoi kandidimin për Tiranën si një sfidë historike:
“E shoh si një përgjegjësi shumë të madhe, një sfidë të përbashkët që secili prej nesh si qytetar duhet ta marrë për qytetin e vet. Tirana është rritur, është bërë qyteti i një milion banorëve, dhe kjo kërkon përkushtim dhe vizion.”
Ajo shtoi se kandidimi nuk është thjesht një detyrë politike, por një thirrje për shërbim publik:
“Është një thirrje në detyrë, një mision historik. Nuk e shoh si një detyrë të radhës, por si një përgjegjësi mbi të cilën varet e ardhmja e qytetit, nga përditshmëria e njerëzve deri te mënyra si ndërtojmë kujtime si qytetarë.”
Rama theksoi se Tirana është në prag të një momenti historik, pasi qyteti pritet të ketë për herë të parë një grua në krye.
“Besoj se Tirana do të ketë jo vetëm të parën grua kryetare bashkie në historinë e vet, por një kryetare që do të mbetet pjesë e atij grupi njerëzish që i kanë bërë histori këtij qyteti,” tha Kryeministri.