“Parku i Besimit është një projekt vizionar që synon të kthejë harmoninë ndërfetare në Shqipëri, në një eksperiencë të prekshme, përmes natyrës.

Në fillim të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama bëri një përmbledhje të ngjarjeve kryesore të javës që lamë pas, ku veçoi organizimin e konkursit ndërkombëtar për “Parkun e Besimit” në Tiranë.

“Kjo ka qenë një javë intensive, por është dominuar nga energjia e projekteve të reja. Kemi pasur konkursin ndërkombëtar për ‘Parkun e Besimit’, i cili ka qenë ndër momentet më mbresëlënëse të rrugës së re të arkitekturës dhe të transformimit të këtij vendi, në një vend ku edhe arkitektura është një arsye për ta vizituar”, u shpreh Rama.

Kryeministri solli në vëmendje se 12 finalistë, emra ndër më të njohurit në skenën e arkitekturës, urbanistikës dhe peizazhistikës ndërkombëtare janë përballur në një ish-kazermë në afërsi të Petrelës, ku po rilind një hapësirë, e cila do t’i vihet në dispozicion artit dhe kulturës”.

Rama theksoi se ky ka qenë konkurs i jashtëzakonshëm me projekte nga më të papriturat ku është shpallur fitues nga juria ndërkombëtare studioja prestigjioze BIG – Bjarke Ingels Group (BIG) nga Danimarka.

Kryeministri shprehu bindjen se “Parku i Besimit” do të të jetë një destinacion i ri, i cili do t’i japë mundësi banorëve të Tiranës, të gjithë banorëve të Shqipërisë, por edhe të gjithë atyre që do të vizitojnë Shqipërinë që të shkojnë në një park ku do të gjenden pemët, bimët, frutat, lulet e të gjitha shkrimeve të shenjta dhe ku ndërkohë do të ketë shumë për të parë dhe për të kuptuar nga historia e këtij vendi.

Studioja ndërkombëtare BIG – Bjarke Ingels Group (BIG) është shpallur fituese e garës ndërkombëtare për Parkun e Besimit (Faith Park) mes 12 finalistëve nga vende të ndryshme si Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Danimarka, Gjermania, Spanja, Meksika, Belgjika, Holanda dhe Italia.

Ky park prej 120 mijë metrash katrorë është ideuar të ketë disa hapësira që do të përfaqësojnë besimet fetare të shqiptarëve, ku çdo fe do të ketë rrugën e saj, me elementë sipas shkrimeve të shenjta të çdo besimi, duke nisur që nga objektet e kultit, deri te bimët, që përmenden në librat e shenjtë. Parku i Besimit do të ndërtohet në kodrat e Petrelës, në një zonë që dikur shërbente si kazermë ushtarake.