Sali Berisha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, sulmoi institucionet e drejtësisë teksa po diskutonte për raportimin e Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela dhe të kreut të SPAK, Altin Dumani në dy komisione parlamentare ditën e djeshme.
“Punimet e Komisioneve Parlamentare ku raportuan përfaqësues të narkoqeverisë dhe narkodrejtësisë. Dua të falenderoj të gjithë deputetët për angazhimin e tyre, civilitetin që dëshmuan në pyetje siç ishte rregullorja dhe autopsinë që i bënë jo vetëm institucioneve të dështuara të reformës së drejtësisë së narkoshtetit, por edhe të përfaqësuesve të qeverisë në ato komisione. Ishte një përfaqësim mjeran. E patë se si mëkatarët, të gjithë të implikuar në afera të ndryshme qëndronin si mjeranë para kujt? Para drejtuesve të organeve të drejtësisë, të cilat faktikisht janë dëshmuar armike të egra të pluralizmit në Shqipëri. Janë dëshmuar institucionet më të korruptuara në Shqipëri dhe Evropë, bashkëpunëtore në krime. Flas për përfaqësuesit se aty ka burra, gra, vajza e djem të ndershëm dhe që përpiqen por nuk ia dalin. Këtej flitej për gjykatësin e ekzekutuar, përfaqësuesi i qeverisë së gjykatësve fliste për të atin në aksident. E panë Uluziun dhe Xhafën secili më të zi se shokun, vasalë pa dinjitet.”, tha Berisha.