Kryeministri Rama mori pjesë sot në punimet e edicionit të 9-të Forumit “Future Investment Initiative”, – një prej forumeve më të rëndësishme globale për inovacionin, teknologjinë dhe investimet e qëndrueshme, të mbajtur në Riad, Arabinë Saudite, ku zhvilloi në këtë kuadër, edhe disa takime me drejtues të Forumit, udhëheqës të organizatave ndërkombëtare dhe drejtues kompanish prestigjoze me potenciale të rëndësishme për investime, në fusha me interes të ndërsjellë për vendet.

Kryeministri ishte i ftuar në panelin e diskutimit “A po shkon njerëzimi në drejtimin e duhur?” një bashkëbisedim mbi sfidat me të cilat po përballet njerëzimi dhe ndikimin e tyre në zhvillimin global e në brezat e ardhshëm, ku morën pjesë Presidenti i Republikës së Ruandës Paul Kagame; Presidenti i Republikës Kooperative të Guajanës Mohamed Irfaan Ali; Kryeministri i Republikës Islamike të Pakistanit Muhammad Shahbaz Sharif; Themeluesi, Mentori CIO dhe Anëtarii i Bordit të Bridgeëater Associates, dhe Themeluesi i Dalio Family Office Ray Dalio; si dhe Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino.

Paneli u moderua nga Richard Attias, Kryetar i Komitetit Ekzekutiv dhe CEO, Instituti FII.

Në diskutimin e tij, Kryeministri Rama theksoi se përparimi ekonomik dhe shoqëror i vendeve lidhet ngushtë me vizionin që secili vend ndjek për transformimin e tij, teksa vlerësoi transformimin e jashtëzakonshëm që po përjeton vendi mikpritës, Arabia Saudite, duke e cilësuar atë si një shembull frymëzues të vizionit dhe imagjinatës, që po shndërrojnë një hapësirë, dikur të shkretuar, në një qendër moderne zhvillimi e kulture.

Kryeministri nënvizoi se shoqëritë moderne duhet të rigjejnë frymën krijuese dhe imagjinatën që nxit zhvillimin, duke tejkaluar inercinë dhe rutinën që shpesh pengojnë përparimin. “Ajo çfarë po përjetojmë sot në këndin tonë të botës, që do të thotë perëndimi, është inercia jo imagjinata, ndërkohë që ajo me të cilën ndeshemi në pjesën e gjirit dhe në shumë pjesë të tjera të botës është imagjinata në vend të inercisë. Sigurisht, imagjinata ushqehet nga novacioni, sigurisht imagjinata ushqehet nga nevoja për të shkuar më lartë, për të bërë kapërcime mjaft të mëdha, por imagjinata po kështu lidhet me bukurinë.” – u shpreh Kryeministri.

Forumi “Future Investment Initiative” (FII) njihet si një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare të dialogut mbi ekonominë globale, inovacionin dhe investimet për të ardhmen.