Atletet femra kanë një ndikim të madh në botën e sportit – veçanërisht vrapueset femra të cilat kanë treguar sfida dhe sakrifica të  jashtëzakonshme që femrat mund të arrijnë. Arritjet e tyre shkojnë përtej thyerjes së rekordeve, dhe në garat  vrapuese ato tregojnë forcë, qëndrueshmëri dhe rëndësinë e barazisë gjinore në sport. Përfaqësimi ka rëndësi, dhe të shohësh sot femrat që kanë sukses në vrapim i fuqizon të tjerët të besojnë në potencialin dhe energjinë pozitive të femrës. Ikonat e pistës përgatitën fushën për brezat e ardhshëm, duke dëshmuar se femra mund të arrijë gjëra të mahnitshme në sport.

Atletet shqiptare ndër kohëra kanë frymëzuar dhe motivuar, njerëz të panumërt që të nisin vrapimin, qoftë për argëtim apo për garë. Historitë e atleteve shqiptare, janë shëmbulli i përkryer i punës së palodhur dhe suksesit që i inkurajojnë njerëzit e të gjitha moshave të vendosin dhe të arrijnë qëllimet e garave të vrapimit. Një ndër to, është edhe Alma Qeramixhi Thano, ikona korcare e atletikës moderne shqiptare, dhe asaj olimpike, pionierja kombëtare, që mishëronte dhe demonstronte shkathtësinë dhe përkushtimin e saj ndaj përsosmërisë atletike.

Alma Qeramaxhi Thano (Floqi) i përket  brezit të artë të Atletikës, pionierja korçare e atletikës shqiptare dhe olimpiadës së vitit 1992,  duket sikur  del nga “Muzeu historik i Sportit Shqiptar, Europian dhe atij Olipmik.”

Alma Qeramixhi Thano do të mbetet një nga vrapueset më të njohura që ka shkelur ndonjëherë në një pistë, jo për shkak të rekordeve që vendosi, titujve apo medaljeve që fitoi, por për shkak të mënyrës se si u dha zemër, shpresë e optimizëm, atleteve femra, atletëve të rinj e të reja në atletikën garuese të vrapimit.

Origjina, prindërit, familja, përkushtimi dhe pasioni i Almës  për atletikën.

Ftesës sime për të zhvilluar një bisedë, e vlerësuar “Shigjeta e Artë”,  rekordmenja korcare Alma Qeramixhi Thano (Floqi) iu përgjigj  me emocion, nostalgji dhe aspak nuk e ndante buzagazin e saj karakteristik. Kërshëria ime ishte, të dija se si pati trokitur tek Alma, pasioni dhe  dashuria për sportin, në mënyrë të vecantë për atletikën, vrapimin.

Figura simbol dhe pionierja kombëtare e atletikës shqiptare, Alma Qeramixhi Thano, ka lindur më 14 nëntor 1963 në qytetin e Korçës. Në këte bisedë, atletja e famëshme korcare ndau sfidat dhe triumfet e saj personale, vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e palëkundur të saj që shkëlqeu dhe lanë një ndikim mbresëlënës në pistat garuese të atletikës në Shqipëri, Ballkan, dhe Lojërat Olimpike të vitit 1992. Kjo intervistë do të shërbejë  si një burim frymëzimi dhe inkurajimi për audiencën sportive në mbarë vendin e trojet shqiptare. Përtej arritjeve të jashtëzakonshme sportive, përkushtimi i atletes së shquar, Alma Qeramixhi Thano, shërben edhe për një arësye tjetër tejet të rëndësishme e njerëzore, se – përveç statusit olimpik, ajo qëndron ende rekordmenja kombëtare dhe mbështetje për gratë në sport, dhe burim fuqizimi për brezat e ardhshëm të sportit. Frymëzimi, inkurajimi, trashëgimia dhe shembulli i saj mbeten  të pashlyeshme.

Rekordmenja korcare Alma Qeramixhi Thano (Floqi) është e martuar me ish-futbollistin e klubit  “Skënderbeu” të Korcës, Thoma Floqi, dhe kanë tre fëmijë,  një vajzë e dy djem. E gjithë familja jetojnë  e punojnë, në  Greqi.

“Jam bijë e dy prindërve të mrekullueshëm, Andre dhe Ollga Thano, të cilët me kujdëes, dashuri, ngrohtësi dhe përkushtim, bënë që fëmijëria ime të ishte një fëmijëri tejet e lumtur.”- Këtu atletes famoze korcare i ndryshoi fytyra, porse ende dallohej  buzëqeshja e saj. Ndjente një moment homazhi për mungesën e tyre, por dallohej edhe krenaria për origjinën dhe prindërit e saj.

“Shkolla “Sotir Gurra”, në klasën e 8-ë, (klasa jonë quhej klasë sportive), -ishte ajo ku unë nisa të demostroja fare natyrshëm  talentin tim sportiv, atë të vrapimit. Aso  kohe zhvilloheshin aktivitete sportive si brenda dhe jashtë shkollës dhe në një kros masiv ndërmjet shkollave të qytetit, dola e para. Pra ishin këto lloj aktivitete ku bëhej edhe përzgjedhja e talenteve të reja për  atletikën. Pra, që aty nisi edhe karriera ime sportive. Më pas më aktivizonin në shumë gara dhe pothuajse në të gjitha unë rezultoja fituese me bashkëmoshataret”.

Alma Qeramixhi Thano(Floqi)-është atletja femër më e dekoruara në historinë e atletikës shqiptare, një ikonë që ka arritur sukses të madh në Kampionatin Ballkanik, dhe atë Olimpik, duke fituar medalje ari dhe argjendi. Rreth cmimeve kombëtare e ndërkombëtare, deri në vendosjen e rekordeve, që në gjuhën sportive do të thotë “thyen rekordin”,  dhe garave që kanë lënë mbresa,  me atë se  cfarë ajo ka arritur në atë kohë, Alma na tregon se: “Me të rejat kam rekorde kombëtare e ndërkombëtare, madje disa herë kam qenë edhe kampione kombëtare, dhe me të rriturat kam rekordet 100/m me rezultatin 11/7. Gjashtë herë jam dekoruar nga Federata e Atletikës Shqiptare, dhe kam  pasur rekordet kombëtare më të larta në 100 m me pengesa dhe shtatë-garësh (heptathlon) që nga qershori i vitit 1990-ë me 5,553 pikë, rekorde të cilat mbeten të pandryshuara edhe sot. Në Kampionatin Ballkanik të Atletikës mora 5 Medalje ari, dhe u vlerësova si “Atletja më e mirë “ e Kampionatit. Në vigjilje të rikthimit historik të Shqipërisë në Lojërat Olimpike, pas mungesës 20-vjeçare, do të isha e vetmja atlete shqiptare në atë Olimpiadë dhe e para në historinë e sportit shqiptar, e cila  mori pjesë në një Olimpiadë të vërtetë, duke përfaqësuar vendin tonë në Barcelonë në vitin 1992,  në disiplinën e heptathlon-it – një garë që kombinon 100 m me pengesa, kërcim së gjati, shtangë, 200 m, hedhje shtize, kërcim së larti dhe 800 m.  Jam vlerësuar “Mjeshtre e Sportit” dhe me “Emblemën e Artë”, nga Bashkia e Qytetit të Korcës.

“Në kohën tonë, – vazhdon Alma, -ne ishim si një familje e madhe, prandaj arritëm ato suksese kombëtare e ndërkombëtare. Dëshiroj të përmend trainerët ikona e legjenda të atletikë shqiptare, e më tej: Piro Kasati, Tomi Stefanllari, Konstandin Peci, Gjergji Burda, Petrika Jakova, Kristaq Tili, Ladi Thëngjilli, etj, që treguan përkushtimin dhe arritjet e tyre, dhe  ndihmuan në krijimin e një komuniteti vrapimi garues më gjithëpërfshirës dhe mbështetës. Puna e palodhur, sukseset, dhe trashëgimia e tyre na frymëzonin  ne vrapueset e reja: Alma Thano Qeramixhi, Pavlina Evro, Eva Licolli, Donika Hanxhara, Ëngjëllushe Spaho, Lida Bllazhda, Mariela Kaciroti Burda, rekordmenja, Valbona Sina, Mariela Lico, Anila Menkshi, Natasha Mele, Pëllumbesha Kamenica, Nikoleta Shollla, etj,  -që të lidhnim këpucët tona dhe të niseshim në pistë, ata na jepnin frymë dhe energji, të thyenim kufijtë e rekordeve, duke zbuluar kështu, pikat tona më të forta.Të gjithë/a ishim kampionë e rekordmenë,  dhe sot e kësaj dite ruajmë marrdhëniet tona miqësore, takohemi dhe kujtojmë me nostalgji ato momente që nuk përsëriten më. Pamvarësisht kohës e moshës që kalon, ne kemi mbetur ende aktivë  në promovimin e sporteve dhe mentorimin e atletëve të rinj. Dhe mesazhi im për sportin, dhe atletikën, vecmas për femrën sportiste, -është se “Pa investim ndaj inovacionit dhe përsosmërisë në sportin e atletikës, në sport nuk ka zhvllim!”

Bisedoi: Raimonda MOISIU-SADE, Qershor, 2025, Korcë, Shqipëri.