Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, duke theksuar se kriza e vërtetë që po kalon Shqipëria nuk është vetëm ekonomike, por mbi të gjitha “kriza e familjes shqiptare”.

“Sot një person për të jetuar në qytetin e Tiranës i duhen 46 mijë lekë të reja vetëm për shpenzimet bazë të jetesës, për ushqim dhe nevoja të tjera, pa llogaritur banesën. Ndërsa një familje me dy fëmijë ka nevojë për 87 mijë lekë në muaj. A mund të jetojë një familje që merr dy paga minimale me këto çmime të rritura? Sigurisht që jo,” deklaroi Tabaku.

Sipas saj, rritja e çmimeve është kthyer në një sfidë të vërtetë për mbijetesën e familjeve shqiptare dhe një nga arsyet kryesore pse të rinjtë nuk po krijojnë dot familje të reja.

“Për të blerë një apartament sot duhen 19 vite punë. Për të përballuar jetesën duhen shpenzime pa fund,” shtoi ajo.

Tabaku nënvizoi se zgjidhja qëndron në ndryshimin e modelit ekonomik aktual, i cili sipas saj favorizon pak duar dhe pengon konkurrencën.

“Ky model duhet të ndryshojë. Shqipëria ka nevojë për një model të ri ekonomik që mbështet punën, shtresën e mesme dhe rrit konkurrencën në treg, jo për një sistem që e detyron qytetarin të mbijetojë,” përfundoi deputetja demokrate.

Postimi i plotë i Jorida Tabakut:

Kriza e vërtetë e Shqipërisë është ajo e familjes! E pamundësisë për të shpenzuar sepse ke gjithnjë e më pak të ardhura! E pamundësisë për të blerë një apartament nga çiftet e reja! Ky sistem e ka dobësuar familjen shqiptare! Prandaj duhet ta ndryshojmë!