Gazetari i njohur Dritan Shakohoxha ka përjetuar një tjetër eksperiencë të keqe në Serbi pas asaj që ndodhi 11 vite më parë në Beograd.

Ai sot ka udhëtuar sërish drejt kryeqytetit serb për të qenë nesër në stadium për ndeshjen e kombëtares, ndërsa është ndaluar në aeroport së bashku me kolegë të tjerë nga Shqipëria duke i mbajtur aty për afro 3 orë pa iu dhënë asnjë shpjegim zyrtar.

Shakohoxha konfirmoi për Tch se janë mbajtur nga policia serbe shumë gjatë në aeroport.

“Ishte sërish një situatë absurd. Më morën pasaportën mua dhe disa kolegëve të tjerë nga Shqipëria dhe nuk na jepnin asnjë shpjegim. Më pas pashë emrin tim, të Arlind Sadikut dhe disa komentatorëve të tjerë nga Shqipëria që ishin aty dhe na kishin futur në një lloj liste të çuditshme. Na pyesnin vazhdimisht se “për çfarë kishim shkuar në Beograd. Largoheshin. Vinin prapë: pyesnin, iknin prapë. Një marrëzi e pafund. Deri sa në fund na lejuan të largoheshim”, tha Shakohoxha.

Më pas u pyet nëse do të jetë nesër në stadium dhe tha se do të shkojë aty, nëse serbët nuk bëjnë sërish “çmenduri” ndaj gazetarëve shqiptarë.

Ndërsa gazetari sportiv Ervin Baku, ka treguar një version interesant të ngjarjes. Ai tha se gazetarët shqiptarë kishin shkuar me një makinë me targa maqedonase për të shmangur të tilla incidente. Ndërsa Baku pretendoi se vetë ai kishte shkuar me makinë me targa shqiptare, madje dhe “u ngriti zërin” serbëve, që më pas i lanë kolegët e tij të kalonin.

“Jemi mbajtur rreth 40 minuta pa asnjë lloj arsyeje. Na është kontrolluar makina nga A te Zh. Ndoshta aty na ka ndihmuar edhe qenia si anëtar të shoqatës ndërkombëtare të shtypit sportiv, ndërkohë 4 kolegët tanë i gjetëm aty dhe kishin 2 orë e 30 minuta aty. Kur mbërritëm në doganën serbe gjetëm 4 gazetarë me një makinë me targa maqedonase, ndoshta sepse nuk donin të kishin probleme gjatë rrugës. Ne vendosëm të vinim me targa shqiptare. Me mbërritjen tonë në doganë, kolegët kishin 2 orë e 3 minuta dhe i lëshuan pas 10 minutash që ishim ne aty. Unë ngrita zërin. Ata na kontrolluan makinën sikur ne të ishim njerëz ordinerë. Nuk e kapëm dot konferencën e Sylvinjos. Policia na ka në monitorim, na monitoron çdo lëvizje. Ata thonë që për sigurinë tuaj duhet të jemi kështu”, shprehet gazetari Ervin Baku.