Katër persona kanë humbur jetën dhe 12 të tjerë janë plagosur, mes tyre katër në gjendje kritike, pas një sulmi me armë zjarri në shtetin amerikan të Misisipit.

Ngjarja ndodhi rreth mesnatës në rrugën kryesore të qytetit Leland, rreth 190 kilometra në verilindje të Jacksonit, kryeqyteti i shtetit. Kryebashkiaku i qytetit, John Lee, konfirmoi për mediat amerikane se njerëzit ndodheshin aty për ndeshjen e kthimit në shtëpi të Shkollës së Mesme Leland.

Katër nga të plagosurit janë transportuar me helikopter drejt spitalit, ndërsa deri më tani nuk raportohet për persona të arrestuar në lidhje me sulmin.

Leland është një qytet i vogël në Qarkun e Uashingtonit, me një popullsi prej rreth 4,000 banorësh, sipas të dhënave të vitit 2020.