Në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet sot seanca publike ku do të shqyrtohet ankimi Erion Veliajt ndaj vendimit të qeverisë për shkarkimin nga detyra.
Në seancë do të jetë i pranishëm edhe kryebashkiaku i shkarkuar i Tiranë, i cili u shoqërua nën masa të rrepta sigurie nga paraburgimi i Durrësit, ku ndodhet që prej shkurtit të këtij viti.
Gazetarja Enkelejda Mema tregoi se pas seancës së sotme, që pritet të zgjasë 5-6 orë ku të tria palët; Veliaj si palë ankimuese, Presidenca dhe Qeveria do parashtrojnë qëndrimet e tyre, trupa e Gjykatës Kushtetuese sipas kushtetutës ka aafat deeri në 1 muaj të shqyrtojë parashtrimet dhe të dalë me një vendim.
“Do të jetë në varësi të asaj se sa do të zgjasë seanca e sotme. Është e pamundur që trupa gjyqësore të mblidhet për të dhënë edhe vendimmarrjen ditën e sotme. Provat, qëndrimet, parashtrimet e të tria palëve do të duhet të shqyrtohen mes anëtarëve të GJK. Ligji e parashikon të paktën deri në 1 muaj Gjykata Kushtetuese është në drejtën e saj për të dhënë vendimin. Nuk është e thënë që të zgjasë kaq, mund të jetë edhe më e shpejtë pasi diskutohet vetëm një çështje”, tha gazetarja Enkelejda Mema.
Erion Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit, nën akuzën e korrupsionit në nëntë raste. Bashkë me të është vënë nën hetim edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Në total, ndaj ish-kryebashkiakut rëndojnë pesë akuza penale, përfshirë korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit.
 
			
