Presidenti francez Emmanuel Macron ka fituar më shumë kohë për të zgjidhur krizën politike që ka përfshirë vendin, pasi kryeministri i dorëhequr Sébastien Lecornu ka deklaruar se misioni i tij ka përfunduar dhe se i ka kërkuar presidentit të emërojë një pasues brenda 48 orëve të ardhshme.
Duke folur në edicionin kryesor të lajmeve në France 2, Lecornu theksoi se situata aktuale kërkon stabilitet dhe jo shpërbërje të Asamblesë Kombëtare, një skenar që do të çonte në zgjedhje të parakohshme dhe një tjetër cikël bllokimi politik.
“Kemi një Parlament të fragmentuar, por me hapësirë për kompromis. Shumica e deputetëve refuzojnë shpërbërjen, pasi ajo do të sillte një krizë të re institucionale,” tha Lecornu.
Ai shtoi se aktualisht ekziston një shumicë e gatshme për të mbështetur një platformë stabiliteti, përfshirë një kornizë të përbashkët buxhetore, e cila konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt shmangies së kaosit politik.
“I thashë presidentit se ka të gjithë hapësirën kushtetuese për të emëruar një kryeministër të ri. Tani vendimi është në duart e tij,” deklaroi ish-kryeministri.
Sipas tij, rreth 210 deputetë kanë shprehur vullnetin për të ndërtuar një shumicë të re parlamentare që garanton miratimin e buxhetit dhe stabilitetin institucional.
Lecornu nënvizoi gjithashtu rëndësinë e konvergjencës politike, duke i bërë thirrje të gjitha forcave politike, sidomos të majtës, të bashkëpunojnë në këtë moment vendimtar për vendin.
“Të gjitha partitë duhet të bëjnë një përpjekje për të gjetur zgjidhje të përbashkëta. Kjo nuk është një çështje ambicieje politike, por përgjegjësie kombëtare,” tha ai.
Në pritje të emërimit të kryeministrit të ri, vëmendja mbetet tek selia e presidencës francize, Pallatit Élysée, ndërsa presidenti Macron zhvillon konsultimet e fundit për të formuar një kabinet që mund të gëzojë mbështetje të mjaftueshme parlamentare dhe të shmangë zgjedhjet e parakohshme që shumë i konsiderojnë si të rrezikshme për stabilitetin politik të Francës.