Shtëpia e Bardhë rikujtoi se presidenti Donald Trump i ka dhënë Hamasit 3-4 ditë afat për t’u përgjigjur në lidhje me planin e tij për Gazën, duke theksuar se Washingtoni është “krenar për këtë plan” dhe shpreson që edhe Hamasi ta pranojë.
Zëdhënësja Karoline Leavitt tha në një konferencë për shtyp se afati i përmendur nga Trump ende është në fuqi, ndërsa negociatat vazhdojnë me intensitet.
Sipas saj, plani për armëpushim dhe paqe në Gaza, i përgatitur nën drejtimin e Trumpit, është mirëpritur në gjithë botën.
“Ky plan nuk është mbështetur vetëm nga Izraeli, por edhe nga vendet myslimane dhe arabe, si dhe nga udhëheqësit evropianë. Pothuajse gjithkush në botë e përkrah”, deklaroi Leavitt.
“Jemi krenarë për këtë plan dhe shpresojmë që edhe Hamasi ta pranojë, sepse ky plan do ta bëjë Lindjen e Mesme një rajon më paqësor dhe më të begatë”, tha ajo.
Në përgatitjen e planit kanë marrë pjesë edhe figura kyçe të administratës, përfshirë përfaqësuesin e posaçëm për Lindjen e Mesme Steve Witkoff, sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe këshilltarin kryesor të Trumpit, Jared Kushner, bëri të ditur Leavitt