Nga nesër nis zbatimin Sistemi i Hyrje-Daljeve (EES), një mekanizëm i ri digjital kufitar që do të zëvendësojë vulat manuale të pasaportës me regjistrim elektronik në kufijtë e jashtëm të 29 vendeve europiane. Sistemi EES synon të shkurtojë radhët në pikat kufitare, pasi zëvendëson vulën manuale në pasaportë me një kontroll plotësisht dixhital. Të dhënat biometrike të pasagjerëve – gjurmët e gishtërinjve, njohja e fytyrës, skanimi i irisit – regjistrohen, së bashku me emrin, datën dhe vendin e hyrjes dhe daljes së tyre.

Corriere Della Sera shkruan se procesi është i thjeshtë: terminali skanon pasaportën, mbledh shenjat e gishtave dhe bën një fotografi të fytyrës suaj.

Fëmijët nën 12 vjeç përjashtohen nga dhënia e shenjave të gishtave. Gjatë procesit, udhëtarëve u bëhen katër pyetje të detyrueshme, përfshirë: konfirmimin e adresës së qëndrimit, dhe verifikimin e burimeve financiare të mjaftueshme për të mbuluar qëndrimin në zonën Shengen.

Kjo mund tē sjellë vonesa për shtetasit shqiptarë që udhëtojnë më BE, sidomos në kufirin tokësor, pasi do të duhet të dalin nga automjeti. Portet, aeroportet dhe terminalet hekurudhore janë detyruar të instalojnë pajisje të reja për të kryer këto verifikime, të cilat do t’u mundësojnë autoriteteve të kontrollojnë automatikisht të dhënat për statusin e emigracionit dhe të identifikojnë personat që qëndrojnë më shumë se lejohet në territorin e BE-së.

Sistemi i ri është menduar vetëm për udhëtarët jashtë vendeve të BE-së, të përjashtuar nga detyrimi për vizë, si ata që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Japonia, Brazili dhe shumë vende të tjera, të cilët hyjnë ose dalin nga zona Shengen për qëndrime afatshkurtra.

Të dhënat e hyrjeve dhe daljeve (si dhe ato për refuzimet e hyrjes) do të ruhen për 3 vjet. Ndërsa dosjet individuale me të dhënat personale do të mbahen një ditë më shumë. Pas përfundimit të kësaj periudhe, të dhënat fshihen automatikisht, dhe do të jetë e nevojshme që të mblidhen përsëri nga e para.