Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi sot një takim me zyrtarët e shërbimit të jashtëm shqiptar që po ndjekin trajnimin për Diplomacinë Ekonomike, në prani të Ambasadorit të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri, Sh.T. Reinout Caspar Vos.

Ministrja theksoi rëndësinë e përgatitjes profesionale të stafit diplomatik me aftësi konkrete në funksion të promovimit të profilit ekonomik të Shqipërisë, si pjesë e një vizioni afatgjatë për forcimin e rrjetit të atasheve ekonomikë dhe krijimin e një platforme tërheqëse për investitorët e huaj.

“Diplomacia ekonomike është një shtyllë kyçe në politikën tonë të jashtme dhe një mjet konkret për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit,” u shpreh Spiropali, duke nënvizuar domosdoshmërinë e një trajnimi të vazhdueshëm dhe të standardizuar për diplomatët shqiptarë.

Ky fokus përputhet plotësisht me prioritetin e vazhdueshëm të shprehur nga Kryeministri Edi Rama, i cili ka theksuar se diplomacia shqiptare duhet të shërbejë si një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe investitorëve të huaj, duke promovuar burimet natyrore, potencialin njerëzor dhe mundësitë strategjike që ofron vendi.
Në vijimësi të këtij orientimi, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme synon të krijojë një arkitekturë funksionale për diplomacinë ekonomike, që do të shërbejë si instrument i drejtpërdrejtë për të rritur atraktivitetin e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare.