Tiranë, 13 Tetor 2025 – Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, priti sot në Tiranë Drejtoren për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore pranë Komisionit Evropian, Valentina Superti.
Në fokus të takimit ishte theksimi i partneritetit të fortë dhe angazhimit të palëkundur të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian. Spiropali theksoi rëndësinë e vazhdimit intensiv të përmbushjes së detyrimeve për hapjen dhe mbylljen e kapitujve të negociatave si dhe arritjen e standardeve që do të mundësojnë mbështetjen financiare përmes Planit të ri të Rritjes.
Në fjalën e saj, Ministrja Spiropali theksoi:
“Vijojmë intensivisht përmbushjen e detyrimeve për çeljen e kapitujve të fundit, negociatat për mbylljen e kapitujve të hapur, mbërritjen e standardeve për përfitimin e mbështetjes financiare të BE-së përmes Planit të ri të Rritjes, si mjet i integrimit dhe fuqizimit rajonal.”
Vizita e znj. Superti në Tiranë lidhet me organizimin e Forumit të Investimeve BE – Ballkani Perëndimor, i cili për herë të parë zhvillohet në Shqipëri, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe perspektivën evropiane të vendit tonë.