Shqipëria rikonfirmon angazhimin për integrimin evropian dhe bashkëpunimin rajonal në Ministerialin e Procesit të Berlinit në Belfast

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka përfaqësuar Shqipërinë në Takimin Ministror të Procesit të Berlinit, i cili u zhvillua në ambientet historike të Kështjellës Hillsborough në Belfast të Irlandës së Veriut.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja ndau një album fotografik nga ngjarja, duke theksuar rëndësinë që ka ky forum për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ajo nënvizoi se Shqipëria e rikonfirmoi qartë angazhimin e saj për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe për garantimin e një klime sigurie të përbashkët në rajon.

“Album fotografik nga Takimi Ministror i Procesit të Berlinit në Kështjellën Hillsborough në Belfast, ku Shqipëria rikonfirmoi angazhimin e saj për integrimin, bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë e përbashkët,” shkruan Spiropali.

Procesi i Berlinit është një nismë strategjike e nisur nga Gjermania që synon të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt integrimit evropian përmes dialogut politik, bashkëpunimit ekonomik dhe projekteve të përbashkëta në fusha të ndryshme.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë takim konfirmon vullnetin e saj për të qenë një faktor stabiliteti në rajon dhe për të avancuar reformat që e afrojnë vendin me standardet evropiane.