Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mori pjesë në ceremoninë zyrtare të pritjes në Pallatin Mbretëror të Napolit, në kuadër të Forumit të Nivelit të Lartë me vendet e Mesdheut. Aktiviteti u organizua me ftesë të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani.
Gjatë kësaj ngjarjeje të rëndësishme diplomatike, Spiropali vlerësoi rolin udhëheqës të Italisë në nismat për të transformuar rajonin e Mesdheut në një platformë bashkëpunimi dhe zhvillimi.
“Jam krenare që sot marrëdhënia mes Italisë dhe Shqipërisë spikat si një histori suksesi e partneritetit strategjik për zhvillim dhe integrim”, u shpreh ministrja Spiropali.
Ajo theksoi më tej rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke u shprehur se vizioni është për një Mesdhe që bashkon popujt, e jo që i ndan ata.
Forumi është pjesë e nismës #MED2025, që synon forcimin e dialogut dhe partneritetit mes vendeve të Mesdheut në fusha kyçe si siguria, zhvillimi ekonomik dhe integrimi evropian.