Gjatë sesionit kryesor të Ministrorës së Procesit të Berlinit, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, theksoi se Ballkani Perëndimor nuk duhet parë si një barrë për Europën, por si një forcë e pashfrytëzuar që pret të zgjohet.

“Në këtë proces, Shqipëria është shembulli më i qartë se ndryshimi i vërtetë nuk imponohet nga jashtë ai nis nga brenda, me lidership vizionar, me reforma të guximshme dhe me ndërtimin e besimit si themel i transformimit,” deklaroi Spiropali.

Ajo shtoi se për Shqipërinë, pajtimi rajonal nuk është thjesht një zgjedhje politike, por një përgjegjësi morale dhe një rrugë drejt paqes dhe përparimit.

“Sepse pajtimi i vërtetë nuk shkruhet në letër – ai ndërtohet në zemra. Kërkon kurajë për t’u përballur me hijet e së shkuarës, dhembshuri për të nderuar kujtimin e viktimave, dhe mbi të gjitha, vizion për të ndërtuar një të ardhme ku dallimet nuk krijojnë frikë, por frymëzojnë përparim,” përfundoi ministrja Spiropali.