Nëse deri më tani besonit se një prekje tregon butësi apo rehati, një studim i ri vjen për ta përmbysur këtë bindje dhe për të ngritur alarmin për partnerin tuaj. Shkencëtarët në Nju Jork kanë zbuluar se njerëzit me tipare të errëta të personalitetit – përfshirë psikopatinë, narcizmin dhe makiavelianizmin – përdorin prekjen për të manipuluar partnerët e tyre. Sipas studimit, prekja mund të “rrisë ndjenjën e pronësisë ndaj objekteve” dhe të “nxisë bindjen nga një person vartës”.
Pra, nëse partneri juaj përpiqet t’ju përqafojë gjatë një debati verbal, ai mund të jetë një psikopat ose narcisist që përpiqet të ushtrojë kontroll mbi ju.
Ekspertët theksojnë se kjo mund të ndodhë përmes gjesteve si mbajtja e krahut, prekja e shpatullës, pjesës së pasme të kokës apo edhe e dorës. Autori i studimit, profesori i psikologjisë Richard Matson nga Universiteti Binghamton, tha se “jo të gjitha format e prekjes janë dashamirëse” dhe se “jo të gjitha përqafimet janë të padëmshme”.
“Ato mund të përdoren në shërbim të vetes, në kurriz të partnerit në një marrëdhënie,” – shtoi ai.
Studiuesit theksojnë se, edhe pse prekja është një nga mënyrat kryesore për të shprehur dashurinë, ajo nuk përjetohet gjithmonë pozitivisht dhe nuk përdoret me mirëbesim nga të gjithë individët.
Shembujt e prekjes që zakonisht konsiderohen pozitive – si një përqafim miqësor, një shtrëngim duarsh, një krah rreth shpatullave apo gjestet më intime si puthjet – mund të shndërrohen në forma negative të prekjes, në varësi të qëllimit dhe kontekstit.
Në studimin e tyre, i cili përfshiu 500 studentë mbi 18 vjeç që ishin në një lidhje, pjesëmarrësit plotësuan pyetësorë për të vlerësuar nivelin e tre tipareve të “Triadës së Errët”: psikopatisë, narcizmit dhe makiavelianizmit.
Rezultatet treguan se si burrat ashtu edhe gratë me këto tipare kishin më shumë gjasa të përdornin prekjen për të manipuluar partnerin, edhe pse mënyrat ndryshonin sipas gjinisë.
Burrat, që ndiheshin të pasigurt për marrëdhënien, kishin më shumë gjasa të përdornin “prekjen kompulsive” për të kërkuar siguri nga partneret e tyre.
Gratë, në anën tjetër, ndiheshin më të pakëndshme me prekjen e dorës, por e përdornin atë si mjet manipulimi për të fituar kontroll.
Për gratë, prekja mund të shërbejë si një metodë për të rritur fuqinë ndërpersonale, pra për të siguruar një formë dominimi në marrëdhënie.
Interesant është fakti që gratë me ankth të lartë lidhjeje – që kanë frikë nga braktisja – shfaqën një neveri më të madhe ndaj prekjes.
Sipas ekipit kërkimor, tiparet e “Triadës së Errët” shpesh lidhen me vështirësi në marrëdhëniet romantike, përfshirë debatet e shpeshta dhe madje edhe dhunën. Prandaj, studiuesit paralajmërojnë të jemi të vëmendshëm ndaj shenjave. Studimi është botuar në revistën Current Psychology dhe konsiderohet i pari që tregon një lidhje të drejtpërdrejtë midis tipareve të Triadës së Errët dhe përdorimit kompulsiv të prekjes.




















