Dielli pritet t’ia lërë vendin shiut. Nga enjtja meteorologët parashikojnë kthim të reshjeve në disa qytete për tu shtrirë në të gjithë territorin të premten. Në jug dhe veri të vendit sipas Institutit të Gjeoshkencave reshjet do të shoqërohen me shtrëngata.
“Presim të kemi një ndryshim sa i përket kushteve atmosferike duke nisur nga e enjtja në drekë. Reshjet do të fillojnë të dobëta kryesisht në jug të vendit më pas të premten do të prekin të gjithë territorin. Do të jenë Qarqet e veriut si Shkodra, Lezha, Kukësi të cilat presim reshje mesatare dhe me shtrëngata gjithashtu dhe Qarqet e jugut si Gjirokastër dhe Vlora presim reshje mesatare të shoqëruar me shtrëngata, pjesa tjetër e territorit presim reshje të dobëta.”
Po Tirana?
“Përgjatë mëngjesit të premtes deri në orën 14 reshjet në Tiranë do të jene te dobëta dhe te vazhdueshme ndërsa pas drekës presim reshje lokale.” Reshjet parashikohet të largohen nga një pjesë e territorit duke filluar nga e shtuna ndërsa të dielën pritet rikthim i ditëve me diell.
“Do të jetë e shtuna që sjell ndërprerje të reshjeve në disa prej Qarqeve ku përfshihet dhe kryeqyteti ndërsa në jug do të vijojnë dhe për të shtunën, por me intensitet të dobët dhe lokale. Ditën e diel presim ndërprerje të reshjeve thuajse në të gjithë vendin.”
Sa i përket vlerave të termometrit parashikohet një rritje me rreth dy gradë celsius deri të diele kur pritet kthim në temperaturat deri në 10 gradë celsius në Tiranë e zonat e ulëta dhe 6 gradë celsius në zonat malore.