Dy gazetarë ukrainas humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur pas një sulmi ajror rus me dron të tipit Lancet në Kramatorsk, më 23 tetor. Sulmi u krye pranë një pike karburanti, rreth 16 kilometra larg vijës së frontit, në një nga qytetet e fundit që mbetet nën kontrollin e forcave ukrainase në rajonin e Donetskut.

Mes viktimave janë Olena Gramova, 43 vjeçe, e lindur në Yenakiieve, e cila pas studimeve në financë iu përkushtua gazetarisë në vitin 2014 periudhë kur Rusia aneksoi Krimenë dhe nisi mbështetjen për separatistët në Donbass; dhe Yevgen Karmazin, 33 vjeç, nga Kramatorsku, kameraman që punonte për kanalet ndërkombëtare të transmetimit të Ukrainës që prej vitit 2021.

Gazetari i tretë, Alexander Kolychev, ka pësuar lëndime të rënda dhe po trajtohet në spital.
Ky incident shton më tej numrin shqetësues të punonjësve të medias që kanë humbur jetën që prej fillimit të luftës në Ukrainë.