6 kilometrat e parë të superstradës Tiranë-Durrës do të hapen për qarkullimin e automjeteve në fund të këtij viti. Punimet në dy fazat e parë të këtij projekti, për zgjerimin e aksit kryesor duke shtuar nga dy korsi në të dy senset e lëvizjes, tashmë kanë avancuar ndjeshëm.
Hapja e 6 kilometrave të parë do ti japë një frymëmarrje qarkullimit të automjeteve, duke lehtësuar lëvizjen, si dhe do të ofrojë një pamje dinjitoze hyrjes së.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli ndoqën nga afër punimet që po bëhen në këtë vepër.
Zëvendëskryeministrja tha se kantieri për zgjerimin e Tiranë-Durrës është një nga kantieret me ecurinë më të mirë, në të dyja fazat e tij ku po punohet aktualisht. “Tashmë autostrada Tiranë-Durrës në 6 kilometrat e parë duke nisur nga Casa Italia dhe deri tek mbikalimi i Kasharit kthehet në një autostradë të tipit A me një kurorë 32.5 metra gjerësi. Kemi 3 korsi nga të dyja krahët plus një korsi emergjence që e bën me katër korsi nga të dyja krahët. Ecuria e projektit është shumë e mirë, në fazën e parë ecuria është 65%, ndërsa në fazën e dytë 85%”, tha Balluku.
Sa i takon trafikut të krijuar për shkak të punimeve, Balluku u shpreh se qytetarët kanë treguar mirëkuptim, ndërkohë që me hapjen e kilometrave të parë do të ketë një lehtësim të lëvizjes.
Nga ana e tij, drejtori i ARRSH bëri të ditur se ka nisur puna edhe për plotësimin me elementët e tjerë të këtij projekti, siç është mobilimi urban ku përfshihet vendosja e ndriçimit dhe gjelbërimi.
“Kemi nisur për fazën numër 3 e cila parashikon vijimin e zgjerimit të rrugës, gjithashtu ka dhe dy nyjet kryesore që është ajo e Rinasit e cila do rindërtohet si dhe nyja e re e Laknasit”, tha Gjyli.