“Ja ku është Sarkozi!”, brohoritën të burgosurit nga qelitë e burgut La Santé në Paris, ndërsa ish-presidenti francez mbërriti për të nisur vuajtjen e një dënimi pesëvjeçar me akuzën e konspiracionit kriminal.

Vendimi u mor në gjyqin e shkallës së parë, që e gjeti fajtor për financim të paligjshëm të fushatës së tij presidenciale në vitin 2007, me fonde të dyshuara nga regjimi libian i Muammar Gaddafit.

Pas përfundimit të formaliteteve administrative, Sarkozy u shoqërua në një qeli izolimi 11 m², ku do të qëndrojë pa telefon, por me një televizor të vogël dhe disa libra, përfshirë “Konti i Monte Kristos” dhe një biografi të Jezusit.

Rreth orës 9 të mëngjesit, Sarkozy u largua nga shtëpia dorë për dore me gruan e tij, Carla Bruni, i përshëndetur nga qytetarë dhe mbështetës që mbanin flamuj francezë, këndonin himnin kombëtar dhe brohorisnin “Turp për drejtësinë”.

Në të njëjtën kohë, në rrjetin social X, u publikua një deklaratë nga Sarkozy ku ai shkruante pafajësinë e tij dhe e cilësonte gjyqin si një “skandal gjyqësor”.

“Nuk po burgoset një ish-president, por një njeri i pafajshëm”, shkroi ai, duke e cilësuar veten viktimë të një padrejtësie të rëndë.

Sarkozy u shpall fajtor për bashkëpunim kriminal, ndonëse u lirua nga akuza për korrupsion. Gjykata vendosi se ai kishte dijeni për takimet mes bashkëpunëtorëve të tij të afërt dhe përfaqësuesve të regjimit libian në vitin 2005, përfshirë Abdallah Senoussi, një zyrtar i dënuar për terrorizëm.

Vizita e planifikuar e ministrit të Drejtësisë Gérald Darmanin, një ish-bashkëpunëtor i afërt i Sarkozy-t, ka nxitur kritika. Gjyqtari i lartë Rémy Heitz paralajmëroi se një vizitë e tillë mund të ndikojë negativisht në pavarësinë e drejtësisë. Reagime të ashpëra erdhën edhe pasi presidenti Emmanuel Macron priti Sarkozy-n në Pallatin Élysée një ditë para nisjes së dënimit. Sekretari i Partisë Socialiste, Olivier Faure, e quajti këtë një formë presioni të papranueshëm ndaj drejtësisë.

Avokatët e Sarkozy-t kanë paraqitur kërkesë për lirim dhe apel, duke bërë që ai teknikisht të konsiderohet ende i pafajshëm. Megjithatë, ligji francez i vitit 2020 lejon fillimin e menjëhershëm të vuajtjes së dënimit edhe pa vendim përfundimtar të apelit.