Nuk pati vetëm një derbi, por edhe disa dëshmi të qarta. Kontinentin europian thuajse gjithmonë e dominojnë disa gjigandë të futbollit, dhe ata fituan thellësisht këtë mesjavë në Champions.
Bajern, Liverpuli dhe Çelsi bindën me rezultate të mëdha, e pa mëshirë për kundërshtarët. Bavarezët me të vërtetë e trembën Europën, siç shkruajnë mediat në Spanjë apo Gjermani, duke qenë një “rul kompresor” me triumfin 4-0 ndaj Klub Bryzhit.
Një ekip I respektuar si ai belg nuk mundi të bënte asgjë, ndërsa sfida në “Alianc Arenë” u mbyll për vetëm 34 minuta. Lenart Karl në 5’, Harri Kejn në 14’ dhe Luis Diaz në 34’ ishin ata që e ngjitën rezultatin në 3-0.
Spikat adoleshenti Karl, 17 vjeç, që ka qenë në Akademinë e Bajernit që në moshën 14-vjeçare. Pas pushimit shënoi ish-sulmuesi I Çelsit, Nikolas Xhekson, dhe skuadra nga Mynihu është në krye të Championsit me 9 pikë të plota, ashtu si PSG, Inter, Arsenal apo Reali.
Liverpuli ndoshta e gjeti fatin në Gjermani, ndonëse jo në Hamburg si dikur Bitëllsat, porse në Frankfurt. Kampionët e Anglisë lanë prapa një periudhë të tmerrshme me disa humbje radhazi, me një triumf të madh 5-1 ndaj Ajntrahtit vendas.
Edhe pse Frankfurti shënoi i pari, përmbysja ishte e tepruar. Për ekipin e trajnerit holandez, Slot, shënuan Ekitike, Van Dajk, Konate, Gakpo dhe Soboslai.
I shkëlqyer edhe ekipi tjetër anglez, Çelsi. Blutë e Londrës, kampionë të botës në fuqi, shkatërruan 5-1 një emër tepër të nderuar si Ajaksin, që është katër herë kampion i Europës, ndonëse prej kohësh ka rënë nga vakti.
Në “Stemford Brixh” shënuan Mark Guiu, Moises Kaisedo, Enzo Fernandez me penallti, braziliani i ri Estevao dhe Tirik Zhorzh. Çelsi u ndihmua shumë nga kartoni I kuq për Tejlërin e Ajaksit që në 17’. Të dyja skuadrat angleze kanë nga 6 pikë, dhe janë në zonën e kualifikimit për në raundin e dytë.