Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka folur hapur për tensionet aktuale mes Tiranës dhe Prishtinës si dhe përplasjen mes Kryeministrave Edi Rama dhe Albin Kurti.

I ftuar në emisionin “Tema e ditës” në RTSH, Ahmeti theksoi se qëllimi i tij dhe i Kryeministrit shqiptar ka qenë gjithmonë i mirë në raport me Kosovën, pavarësisht perceptimeve publike.

“As e kemi menduar, as kemi punuar ndonjëherë kundër saj – përkundrazi, jemi përpjekur të punojmë për të mirën e çdo force politike në vend,” tha Ahmeti.

Ndikimi dhe përpjekjet me Ramën

Ahmeti konfirmoi se ai dhe Kryeministri Rama janë përpjekur të ndikojnë në situatë, duke shfrytëzuar lidhjet me partnerët perëndimorë. Ai zbuloi se kishte biseduar disa herë me Ramën për këtë çështje, i cili e kishte pyetur se si mund të dilet nga kjo situatë.

“Nuk jemi njerëz pa miq në Bruksel dhe Uashington që mund të ndikojmë për Kosovën. Si unë si Rama ia kemi thënë shqetësimet e tyre Albin Kurtit. Por nuk ka pasur reagim,” tha kreu i BDI-së, duke lënë të kuptohet se pengesa qëndron te mungesa e bashkëpunimit nga pala e Prishtinës.

Ahmeti theksoi se në vend të përçarjes, i gjithë rajoni ka nevojë urgjente për unitet, veçanërisht Kosova përballë sfidave të proceseve integruese.

“Na duhet shumë unitet. Ka shumë punë Kosova para për anëtarësimin në BE. Kemi nevojë ‘sup më sup’ të jemi bashkë, sepse proceset integruese janë të rëndësishme si për Kosovën, Shqipëria, si dhe për Maqedoninë e Veriut,” apeloi Ahmeti.

Ai shtoi se ndonëse Kurti ka ndërhyrë në disa raste në çështje të Maqedonisë së Veriut, “unë personalisht kurrë nuk do të ndërhyja,” duke shprehur qëndrimin se politika duhet të krijojë forcim dhe jo përçarje.