Kreu i PSD, Tom Doshi ka përgënjeshtruar Sali Berishën, pas një postimi të tij ku pretendonte se Doshi ishte arratisur. Në një postim të publikuar ditën e sotme në Facebook, Berisha shkroi se SPAK ka lëshuar urdhërarrest për Tom Doshin dhe se që prej pasdites së djeshme ai ishte arratisur nga vendi ynë. Kreu i PD, pretendonte se Doshi u urdhërua nga Rama që t’ia mbathte në drejtim të padiur.

“Miq, gosipi i qytetit gumëzhiti mbrëmë anë e kënd e qoshe-qoshe të Tiranës se Tom Doshi u arrestua, se Tom Doshit i kanë prerë urdhër-arrestin skapistët e partisë dhe se Tom Doshi ishte diku larg apo te Rrapi e Treshit dhe sot në mëngjes do paraqitej burrërisht në SKAP për tu burgosur.

Sot në mëngjes gosipin e mori era dhe bashkë me të edhe urdhër-arrestin për Doshin, aleatin besnik të Ramaduros. Toma, që pardje ishte në Skap dhe dje u largua në drejtim të paditur, mbasi u urdhërua që t’ia mbathi. Rroftë drejtësia e Partisë së Krimit”, shkroi Berisha.

Por, gati 1 orë pas këtyre akuzave të lëshuara publikisht nga Berisha, ishte vetë Tom Doshi që e përgënjeshtroi duke publikuar një foto teksa pinte kafe në mes të Tiranës mes miqve. Ndërsa e quan Berishën mashtrues, Doshi thotë se ka 20 vite që shpif ndaj tij.

“O Sali mashtruesi! Për 20 vjet ke shpif kundër meje. Nuk jam largu, jam këtu, në mes te Tiranes duke e pi kafen mes miqsh e jo mes paranojash. Nuk frikësohem se nuk e kam vjedhur popullin si ti”, shkruan Doshi.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Berishës, i cili pasi doli blof, zgjodhi të fshijë postimin.