Ministri i shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu iu drejtua me disa pyetje opozitës, e cil apo këmbëngul që ti drejtojë pyetje në sallë drejtuesve të institucioneve të drejtësisë.

“Tridhjetë pyetje do të ishin hartuar dhe dorëzuar deri tani. Dhe në fakt, e dini pse e përmenda? Sepse mu fanit i përshpirtshmi dhe i respektuari kolegu ynë Pjetër Arbnori, i cili kontraston kaq shumë me të gjithë ju, kur bënte pyetje për prokurorin. S’mund t’i bënte dot në sallë, por i bënte me shkrim. Pyetjet e tij janë regjistruar dhe na vijnë edhe neve sot. Edhe fëmijët e mi mund të lexojnë pyetjet e tij. Por ju sot nuk doni t’i përgjigjeni një pyetjeje që ka publiku shqiptar dhe ndaj shumëfishoni veten në pretendime për pyetje. Pyetja që ka publiku shqiptar është: A është e varur apo e pavarur drejtësia shqiptare sipas opozitës shqiptare? Sepse për shumicën është shumë e qartë. A janë kalorës të ligjit, apo janë ushtarë të krimit drejtuesit e institucioneve të pavarura? Kjo është pyetja për opozitën shqiptare. Kjo është pyetja që juve ju mbyll gojën dhe ju shumëfishon në mijëra pretendime për pyetje që nuk arrini dot t’i bëni”, tha Toni Gogu.