Më 17 tetor në Tiranë do të zhvillohet një protestë madhështore ku do të mblidhen të gjithë shqiptarët nga çdo trevë e Shqipërisë për të kërkuar drejtësi për 4 ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, bahen në paraburgim në Hagë që prej 2020 të akuzuar për krime lufte.

I ftuar sot në ‘Shtypi i ditës dhe ju’ në Report Tv, në një lidhje direkte ishte Hysni Gucati, drejtues i Organizatës Veterane të Luftës (OVL).

Gucati është shprehur se kjo do të jetë një protestë madhështore dhe se pritet që fjalën përpara shqiptarëve ta mbajë ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, Ali Ahmeti, vetë Gucati si dhe një dëshmor shqiptar, i cili është i rënë në tokën e Kosovës.

“Kemi vendosur që më 17 tetor të bëhet një protestë paqësore, aty ku e ka gjenezën UÇK nga shteti shqiptar në vitet 90 që na kanë ndihmuar dhe na kanë dal krah. Numrin fiks nuk e di, por do të jetë një numër i madh nga të gjithë vendet shqiptare.

Do të mbajë fjalën ish-presidenti Alfred Moisiu, Ali Ahmeti dhe unë si organizator, një dëshmor nga Shqipëria që ka rënë dëshmor në tokën e Kosovës, ka qenë pjesëtar i UCK. Dua të falënderoj shtetin shqiptar që na ka mbështetur për këtë protestë”, tha Gucati.

Ndër të tjera Hysni Gucati u shpreh se pret që të gjithë liderët shqiptarë të jenë pjesë e protestës. Gucati tha se protesta është organizuar për të kërkuar drejtësi të mirëfilltë dhe jo politike. Gucati tha se me shumë mundësi i pranishëm do të jetë dhe Edi Rama, ndërsa sot prej një kthim përgjigje dhe nga Partia Demokratike.

“Me siguri nëse Rama do të jetë në Tiranë do të marrë pjesë. Unë e di se të gjithë liderët shqiptarë do të jenë të pranishëm dhe të gjitha komunitetet fetare se ne jemi vëllezër, falë zotit kjo nuk ka ndikuar tek shqiptarët dhe nuk do të ndikojë kurrë.

Protesta nuk është politike, është kombëtare, e kanë organizuar shoqatat e dala nga lufta. I falënderoj të gjithë deputetët me të cilët kam komunikuar dhe kanë shprehur gatishmërinë për të dhënë mbështetjen. Nga PD të jem i sinqertë, kam çuar shkresë dhe besoj se sot do të marr përgjigje.

Sa më shumë qytetarë të ketë, aq më mirë do të jetë për shokët tanë në Hagë. Zëri ynë duhet të dëgjohet tek ndërkombëtaret sidomos tek ambasadat mike. Vetëm nga Kosova do të nisen mbi 60 autobusë. Nuk kërkojmë mëshirë, kërkojmë drejtësi të mirëfilltë jo drejtësi politike”, tha Gucati.