Belina Pupa, gruaja e aktorit të njohur Elvis Pupa, është shpallur e pafajshme nga Gjykata e Australisë, pas akuzave për kultivim lëndësh narkotike në një banesë të regjistruar në emrin e saj. Pas disa muajsh në proces gjyqësor, gjykata e shpalli Belinën të pafajshme. Pas këtij vendimi, Elvisi e ka ndarë lajmin në rrjetin e tij social Instagram, ku me anë të një story ai ka falënderuar të gjithë për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë këtyre muajve.
“Faleminderit të gjithëve për mbështetjen. Mos paçi të tilla raste që t’jua shpërblejmë”, shkruan Elvisi. Në 23 maj të këtij viti, Belina Pupa u paraqit në gjyq në Australi, pasi dyshohej nga autoritetet australiane se ishte përfshirë në kultivimin e lëndëve narkotike dhe në lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Më vonë, në një deklaratë Belina tregoi se ambienti ku janë evidentuar shkeljet ligjore ishin në pronësi të saj por të dhëna me qira.
Gjithashtu u dyshua se edhe Elvis Pupa ishte përfshirë në të njëjtën çështje dhe u raportua se ishte shpallur në kërkim nga autoritetet australiane. Megjithatë, aktori i përgënjeshtroi aludimet dhe adresoi gjithë manipulimet që iu bënë ngjarjes.