Policia ka arrestuar bashkëshorten e mjekut nga Kumanova, Zekirija Shahini, i cili u plagos para disa ditësh në një sulm të armatosur në qendër të Kumanovës. Ajo dyshohet se është e përfshirë në tentativën për vrasjen e tij.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se 43-vjeçarja nga Tetova është ndaluar nga njësiti policor i Kumanovës, ndërsa gjashtë persona të tjerë janë thirrur për intervistim në lidhje me rastin. Po ashtu, me urdhër të gjykatës është kryer bastisje në shtëpinë e një 50-vjeçari nga Kumanova.
“Pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër të arrestuarës do të parashtrohet kallëzim penal për tentativë vrasjeje. Ndërkohë, po kërkohet edhe një 36-vjeçar nga Gostivari, i dyshuar si autor i të shtënave ndaj mjekut Shahini, i cili gjendet në arrati”, bëjnë të ditur nga MPB.
Mjeku Zekirija Shahini, që është kandidat për këshilltar në komunën e Likovës, u qëllua me armë nga person i maskuar më 6 tetor, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetë pas trajtimit mjekësor në Spitalin e Kumanovës.