Jo vetëm femrat, por, edhe meshkujt do të aplikojnë vaksinën kundër Human Papiloma Virus. Ky virus njihet për shkaktarin e kancerit të qafës së mitrës tek vajzat dhe gratë, por, nuk duhet të harrojmë që edhe meshkujt janë bartës dhe transmetues të këtij virusi, i cili kalohet nga njëri tek tjetri nëpërmjet kontaktit seksual.
Kjo ka bërë që Instituti i Shëndetit Publik të marrë masa për frenim të përhapjes së sëmundjes, duke e futur vaksinën HPV, në kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit edhe tek djemtë e moshës 13 vjeç. Aplikimi i vaksinës tek djemtë do të nis për herë të parë nga janari i 2026.
“Duke pasur parasysh sëmundshmërin që nuk preken vetëm femrat, por, edhe meshkujt janë mbartës dhe transferues të virusit si për sëmundjet genitale, lythat, apo kanceri në faring. Menduam të përfshijmë edhe djemtë e moshës 13 vjec për tu bërë pjesë e vaksinimit, e cila do nis nga janari i 2026.”
Vaksina kundër Humane Papiloma Virus, është 4 valente dhe mbron ndaj shtameve, të cilat janë problematikë për shfaqjen e sëmundjeve genital, tek të dy gjinitë, apo të kancerit të qafës së mitrës tek vajzat e gratë. Ndaj mjekët apelojnë, për mos neglizhim të marrjes së vaksinës.
“Humane Papiloma Virus përmban 150 lloje, por, 4 prej tyre janë problematikë për shfaqje të sëmundjeve. Dhe kjo vaksinë është 4 valente, mbron nga 4 lloje, si 6 dhe 11 apo 16 dhe 18. Ndaj është shumë e rëndësishme marrja e kësaj vaksine, për tu mbrojtur.”
Prej 3 vitesh në vend po aplikohet vaksina kundër HPV-së me detyrim tek vajzat e moshës 13 vjeçe. Ndërsa për vajzat dhe gratë e grupmoshës 14-20 vjeçe, Instituti i Shëndetit Publik, ndërmori edhe një fushatë për ti bërë pjesë të vaksinimit, për tu mbrojtur nga HPV-ja. Vaksina është fare e lehtë për tu gjendur, merret falas në çdo Qendër Shëndetësore.




















