Policia e Tiranës ka marrë të gjitha masat për garantimin dhe sigurimin, para, gjatë dhe pas zhvillimit të derbit të kryeqytetit Tirana-Partizani, që do të zhvillohet ditën e sotme, në orën 19:00, në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Sheshi “Nënë Tereza, rruga “Lekë Dukagjini, rruga “Dervish Hima” dhe segmente të tjera rrugore përreth stadiumit do të bllokohen nga ora 17:00 deri në përfundim të takimit.

Itineraret e lëvizjes për të dyja tifogrupet do të jenë si më poshtë:

-Tifozët e Tiranës do të nisen nga zona përballë “Teatrit të Kukullave”, duke ndjekur rrugën “Xhorxh Bush”, më pas rrugën e “Elbasanit”, duke kaluar pranë Ambasadës së SHBA-së, për të vijuar në rrugën “Dervish Hima”, rrugën “Sheh Ahmet Pazari”, dhe për të hyrë në stadium nga tribuna “S”.

-Tifozët e Partizanit do të ndjekin itinerarin: kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha”- ura “Vasil Shanto”-kryqëzimi me rrugën “Komuna e Parisit”-rruga “Sulejman Delvina”-Libri Universitar, Presidenca – drejt COIN-dhe më pas do të hyjnë në stadium nga tribunat “N” dhe “E”.

Policia do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë kalimin ose grumbullimet e tifozëve jashtë intenerarit.

Në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle rrepta ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të jashtëligjshme për në stadium si, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë apo lëndë piroteknike etj. Sipas njoftimit, çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Fëmijët nën moshën 16-vjeçare nuk do të lejohen që të hyjnë në stadium pa shoqërimin e prindërve.

Autoritetet njoftuan se nuk do të lejojnë tifozë të hyjnë në stadium të cilët në ndeshje të mëparshme janë identifikuar si problematikë.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive, për zbatimin e masave të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura, në oraret e caktuara.