Federata Serbe e Futbollit ka vendosur që për ndeshjen kundër Shqipërisë e cila luhet në Leskovac më 11 tetor, të mos nxjerrë në shitje asnjë biletë për tifozët. Mediet serbe bëjnë me dije se siguria vjen në plan të parë dhe frika se mos huliganët shkaktojnë trazira si më 14 tetor 2014 në Beograd, ka bërë që edhe tifozët të jenë të kontrolluar.
FIFA ka dënuar Serbinë me reduktimin e 20 përqind të kapacitetit të stadiumit në Leskovac dhe 6500 tifozët që do jenë prezent, të përzgjidhen nga shkollat e futbollit, federatat rajonale, klubet e të rinjve dhe prindërit e tyre.
Hyrja në stadiumin e Leskovacit do të lejohet vetëm me bileta të personalizuara në mënyrë strikte dhe me inspektimin e një dokumenti identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë), si dhe kontrolle të rrepta sigurie në hyrje, në përputhje të plotë me standardet më të larta të sigurisë.
Në një marrëveshje reciproke mes dy federatave, në ndeshjet Serbi – Shqipëri dhe anasjelltas nuk do ketë tifozë miq, kjo për shkaqe sigurie, pasi ky duel është më shumë se një ndeshje futbolli.
Duke marrë shkas nga ngjarjet e 14 tetorit 2014 në Beograd, kur një grup huliganësh serbë u futën në fushë dhe dhunuan futbollistët e kombëtares shqiptare, këto masa janë më shumë se të nevojshme, ndërsa UEFA dhe FIFA e kanë cilësuar sfidën me rrezikshmëri të lartë duke dërguar dy oficerë sigurie.