Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, raportoi para Kuvendit për veprimtarinë e institucionit gjatë vitit 2024. Metani foli me shifra ku gjatë vitit të kaluar ILD trajtoi 2854 ankesa, nga të cilat 1374 u shqyrtuan dhe 54 përfunduan me hetim disiplinor. Në total, 11 magjistratë – 6 gjyqtarë dhe 5 prokurorë – janë proceduar disiplinarisht me masa që variojnë nga shkarkimi nga detyra deri te vërejtja konfidenciale.

Ndër të tjera ai theksoi se sistemi gjyqësor shqiptar po përballet me sfida të mëdha që lidhen me ngarkesën e tepërt të gjyqtarëve, mungesën e burimeve njerëzore dhe vonesat në proceset gjyqësore. Kreu i ILD u shpreh se nga 80 gjyqtarë të parashikuar në organikë, vetëm 43 kanë ushtruar detyrën gjatë vitit. Stërzgjatja e kohës së gjykimit të çështjeve, sipas tij është një problem që ndikon në cilësinë e gjykimit dhe ul besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

Artur Metani: Gjatë vitit 2024, ILD kishte 2854 ankesa për trajtim. Nga këto, ka trajtuar 1374 ankesa. 54 prej tyre kanë përfunduar me hetim disiplinor. Gjatë vitit 2024, ka një dyfishim të kërkesave për procedim disiplinor, konkretisht, janë 11 magjistratë të proceduar, 6 gjyqtarë dhe 5 prokurorë, me masa që varjojnë nga shkarkimi nga detyra deri te vërejtja konfidenciale. Veç ankesave dhe procedimeve disiplinore, ILD ka kryer edhe 6 inspektime tematike, të cilat kanë përfunduar me 54 rekomandime, prej të cilave 9 lidhen me marrjen e masave për nxjerrje aktesh, 29 me ndërmarrjen e masave administrative dhe 15 rekomandime për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për procedura të mëtejshme verifikuese. Për të gjitha vendimmarrjet e trajtimit të ankesave nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë gjatë vitit që shkoi, ka pasur vetëm 89 ankime pranë KLP ose KLGJ, sipas rastit. Asnjë prej vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nuk është cenuar. Ngarkesa e magjistratëve në Gjykatën e Tiranës është jashtëzakonisht e lartë. Vetëm në vitin 2023, një gjyqtar ka trajtuar mesatarisht 1176 çështje, ndërsa mesatarja kombëtare është 841. Nga 80 gjyqtarë të parashikuar në organikë, vetëm 43 kanë ushtruar detyrën gjatë vitit.