Në prag të sfidave të reja për zgjedhjet e pjesshme, selia e Partisë Socialiste ka qenë qendra e një mobilizimi intensiv, ku drejtues të lartë të PS-së janë angazhuar në koordinimin e strategjive për fitoren e radhës.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka ndarë detaje nga një takim i zhvilluar deri në orët e vona me ministren Ogerta Manastirliu dhe drejtues të tjerë të lartë si Taulant Balla, Niko Peleshi, Ulsi Manja dhe Milva Ekonomi.
Sipas saj, ekipi është më i fuqishëm dhe më i motivuar se kurrë, ndërsa kritikoi opozitën për skenarë dhe sjellje që, sipas saj, vijnë nga moskuptimi i forcës që buron nga bashkimi i socialistëve.
“Me Ogerta Manastirliun deri vonë mbrëmë në selinë e Partisë Socialiste, me të gjithë shtabet e njësive të Tiranës. Skuadra jonë për fitoren radhës është fuqizuar me Taulant Ballën, Niko Peleshin, Ulsi Manjën, Milva Ekonomi dhe kolegë të tjerë, duke na bërë akoma më të fortë e më të motivuar.
Pastaj mërziten e shpikin lloj-lloj skenarësh, nga ato që kanë bërë vetë ndër vite, hedhin baltë, çirren e viktimizohen, por nuk kanë faj. Nuk e kuptuan kurrë që forca e socialistëve buron nga bashkimi, angazhimi i palodhur, misioni i secilit për ta parë Shqipërinë gjithmonë e më mirë, gjithmonë e më të fortë. Vetëm përpara, pak hapa larg Europës”, ka shkruar zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.