Organizatat e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë njoftuar se më 16 nëntor do të zhvillojnë një protestë para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, bëri të ditur se protesta do të nisë në orën 13:00.

“Shoqatat e dala nga lufta kanë vendosur që protesta e radhës të organizohet më 16 nëntor, para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg”, deklaroi Gucati gjatë një konference për media.

Ky do të jetë tubimi i tretë i këtij lloji në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me drejtësinë ndërkombëtare. Më 17 tetor, në Tiranë u mbajt një protestë e madhe ku mijëra qytetarë kërkuan drejtësi për ish-udhëheqësit e UÇK-së, ndërsa një demonstratë e ngjashme ishte zhvilluar edhe në Hagë më 14 shtator.

Aktualisht, në Dhomat e Specializuara në Hagë po vijon procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. Të katërt janë akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat i kanë mohuar në tërësi.