Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka ndarë një reagim emocional dhe krenar në rrjetet sociale lidhur me nderimin që Franca i bëri kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare, duke vendosur një pllakë përkujtimore në adresën ku ai jetoi dhe krijoi për dekada në Paris: 63 boulevard Saint-Michel 75005.

Spiropali shkruan:

“Parisi i tha ‘Faleminderit’ luftëtarit të paepur të Shqipërisë Europiane.”

Pllaka përkujtimore që do të vendoset në këtë adresë do të shërbejë si një kujtesë e përhershme për kontributin e jashtëzakonshëm të Kadaresë, jo vetëm në fushën e letërsisë, por edhe në përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në botë.

Ministrja thekson se:

“Në ato pak shkronja, do të kujtohet se Kadare e ngriti Shqipen dhe Shqipërinë në lartësi dhe largësi të panjohura më parë.”
“Do të mbushemi me krenari se edhe pse Ai i përket letërsisë botërore, ushqeu shpirtërisht e lartësoi moralisht popullin e Tij.”
“Do të përjetësohet nderi që Shqipëria dhe shqiptaria tek Ai dhe vepra e Tij gjetën formën më të lartë të vetvetes.”

Ajo kujton gjithashtu rolin e Kadaresë në mbrojtjen e identitetit shqiptar edhe në kohët më të vështira:

“Do të na kujtohet se Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur vetë Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimit, e qëndroi në atë piedestal edhe kur qemë të përbuzur e të keqkuptuar, luftoi për ne, edhe kur ne luftonim kundër Tij.”

Në përmbyllje të statusit, Spiropali e përshkruan Kadarenë me fjalët:

“Në atë pllakë do të gdhendet emri i kolosit kulturor, humanist, patriotik, që na dha gjithçka e nuk mori kurrë asgjë.”

Ky homazh i Parisit ndaj Kadaresë është një tjetër dëshmi se vepra dhe kontributi i tij e kanë tejkaluar kohën dhe kufijtë, duke e bërë atë një simbol të përjetshëm të identitetit dhe krenarisë shqiptare.