Hajdutët morën bizhuteritë e çmueshme të Napoleonit gjatë një grabitjeje spektakolare në mes të ditës, të dielën, në muzeun e Luvrit muzeun më të vizituar në botë.
Muzeu në Paris, i njohur për koleksionet e tij të shumta, përfshirë edhe Mona Lizën, qëndroi i mbyllur edhe të hënën për të dytën ditë me radhë, ndërsa policia vijonte kërkimin për autorët e grabitjes, e cila ka rindezur debatet për mungesën e sigurisë në muzetë francezë.
Si arritën hajdutët të hyjnë?
Në një aksion tepër profesionist, katër hajdutë të maskuar me kapuçë (balaklava) ndaluan pranë Luvrit, në një rrugë përgjatë lumit Sena. Rreth orës 09:30 të mëngjesit – gjysmë ore pasi vizitorët kishin filluar të hynin në muze – grabitësit u pozicionuan në anën jugore të ndërtesës dhe përdorën një shkallë të zgjatshme të montuar në automjet për të arritur deri te një dritare në ballkonin e katit të dytë.
Dy prej tyre hynë nga dritarja duke përdorur një mulli prerës (angle grinder) dhe mjete të tjera elektrike, duke siguruar kështu hyrjen në Galerinë Apollon të muzeut.
Galeria Apollon është shtëpia e koleksionit historik francez të bizhuterive mbretërore dhe është ndërtuar në vitin 1661 nga Luigji XIV. Sendet që u synuan nga grabitësit ndodheshin në qendër të galerisë.
Çfarë u vodh dhe çfarë u la pas?
Zyrtarët njoftuan se u vodhën tetë objekte:
Një varëse dhe një palë vathë që i ishin dhuruar nga Napoleoni I gruas së tij të dytë, perandoreshës Marie-Louise.
Një diademë, një broshe dhe një stoli dekorative që i përkisnin perandoreshës Eugénie, gruaja e tretë e Napoleonit III. Diadema është e stolisur me pothuajse 2,000 diamante.
Një tiarë, një varëse dhe një vathë të vetëm nga një set safirësh që ishte përdorur, ndër të tjera, nga Marie-Amélie, mbretëresha e fundit e Francës. Varësja është e dekoruar me tetë safirë dhe 631 diamante.
Hajdutët e lanë pas kurorën shumë të çmuar të perandoreshës Eugénie gjatë arratisjes. Sipas faqes së muzeut, ajo është e mbuluar me 1,354 diamante dhe 56 smeralde.
Gjithashtu, ata nuk arritën të merrnin diamantin Regent, që vlerësohet nga Sotheby’s me më shumë se 60 milionë dollarë amerikanë (rreth 45 milionë paund).
Çfarë ndodhi pas grabitjes?
Sapo alarmet u aktivizuan në muze dhe rojet u njoftuan, grabitësit u larguan me shpejtësi duke u arratisur me motorë. Ata lanë pas disa nga mjetet që kishin përdorur gjatë grabitjes. Banda tentoi t’i vinte flakën automjetit të përdorur për hyrjen, por u penguan nga një punonjës i muzeut.
Grabitja përfundoi brenda shtatë minutash, sipas burimeve dhe zyrtarëve që folën për Agence France-Presse.
Muzeu njoftoi se do të mbyllej dhe vizitorët filluan të largoheshin.
Kush janë të dyshuarit?
Zyrtarët thanë se një ekip prej 60 hetuesish po punon mbi teorinë se pas vjedhjes qëndron një grup i organizuar kriminal. Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, deklaroi se besohet se grabitja është kryer nga një ekip me përvojë.
Çfarë po thuhet për sigurinë në muze?
Grabitja ka ndezur sërish debatet mbi mungesën e sigurisë në muzetë e Francës, të cilët janë shumë më pak të mbrojtur sesa bankat dhe po bëhen gjithnjë e më shpesh objektiv i hajdutëve.
Muajin e kaluar, kriminelë hynë në Muzeun e Historisë Natyrore në Paris dhe morën mostra ari me vlerë 700,000 dollarë. Po ashtu, hajdutë vodhën dy pjata dhe një vazo nga një muze në qytetin qendror të Limoges, me një humbje të vlerësuar në 7.6 milionë dollarë.
Ministri i Drejtësisë, Gérald Darmanin, pranoi të hënën se kishte mangësi në sigurinë e Luvrit.
“Ajo që është e sigurt është se kemi dështuar, pasi persona arritën të parkonin një ngritëse mobiljesh në mes të Parisit, të ngjiteshin përmes saj për pak minuta dhe të merrnin stoli me vlerë të paçmueshme, duke i dhënë Francës një imazh shumë të keq,” tha ai për radion France Inter.
Nunez pranoi se siguria në muze ishte një “pikë e dobët serioze”. Ai theksoi se masat e sigurisë në Luvër janë përforcuar vitet e fundit dhe do të forcohen edhe më tej si pjesë e një rikonstruksioni me vlerë miliona euro.
A ka ndodhur kjo më parë?
Luvri ka një histori të gjatë grabitjesh, ndoshta më e famshmja është ajo e vitit 1911, kur Mona Lisa u vodh nga një dekorues italian që punonte aty përkohësisht. Vincenzo Peruggia hyri në muze i veshur si punonjës muzeu. Kur askush nuk po shihte, e hoqi pikturën dhe u largua fshehurazi. Ai u arrestua më vonë dhe piktura u rikuperua.
Një tjetër ngjarje famëkeqe ndodhi në vitin 1956, kur një vizitor i hodhi një gur Mona Lisës, duke dëmtuar bojën pranë bërrylit të saj të majtë dhe duke përshpejtuar vendimin për ta ekspozuar pas një xhami mbrojtës.
Grabitja e së dielës është e para që nga viti 1998, kur një pikturë e Camille Corot u vodh dhe nuk u gjet më kurrë./The Guardian