Ish-gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Tiranë, tashmë deputet i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni është shprehur se me vrasjen e mikut dhe kolegut të tij Astrit Kalaja, shteti shqiptar ka rënë.
“Kjo ngjarje është një sirenë alarmi për situatën e sigurisë në sallat e gjyqeve, ndaj njerëzve të drejtësisë në veçanti por edhe për nivelin alarmantë të situatës së krimit në Shqipëri. Me këtë ngjarje të ndodhur në institucionin e drejtësisë shteti ka rënë”, shkruan ai.
Gjin Gjoni thotë se vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja nuk është vetëm një tragjedi personale për familjen Kalaja, por pasqyrë e thellë e dështimit të institucioneve në mbrojtjen e punonjësve të drejtësisë.
“Astrit Kalaja ishte një familjar e qytetar model si dhe një gjyqtar me integritet të lartë, që i shërbeu ligjit me ndershmëri e përkushtim”, shkruan Gjin Gjoni, duke apeluar tashmë si ligjvënës në Kuvend, që qeveria të marrë masa konkrete për sigurinë e njerëzve të drejtësisë, sepse çdo sulm ndaj tyre është një sulm ndaj shtetit dhe ligjit.