Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të gjyqtarëve, edhe prokurorët u mblodhën sot pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja.

Mbledhja u thirr nga Prokurori i Përgjithshëm Olsjan Çela dhe ishin të pranishëm drejtuesit e prokurorive dhe prokurorë nga të gjitha Prokuroritë.

Në takim u analizua gjendja e parametrave të sigurisë në institucion dhe nevoja për përmirësimin e tyre, kushtet e punës në të cilat punojnë prokurorët dhe problemet e infrastrukturës që lidhen me sigurinë e ambienteve të punës. Nga prokurorët u ngrit shqetësimi për sulmet e vazhdueshme publike ndaj tyre të cilat ndikojnë në rritjen e pasigurisë në ushtrimin e detyrës.

Përfundimet e këtij takimi do të diskutohen më tej me prokurorët në mbledhjet që do mbahen në çdo prokurori për të vijuar më pas me një plan masash institucionale në koordinim edhe me institucionet e tjera të drejtësisë.

Prokurori i Përgjithshëm mbështet dhe solidarizohet me qëndrimin e trupës së gjyqtarëve në mbledhjen e sotme për të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë e magjistratëve, duke vlerësuar se ka nevojë për një rikonfigurim tërësor të standardeve të sigurisë për sistemin e drejtësisë dhe do të kontribuojë në këtë aspekt në koordinim me gjithë institucionet përgjegjëse.