Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ ka reaguar lidhur me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja ndërsa ka dënuar këtë ngjarje. KLGJ thekson se ky akt është i rëndë dhe se shkel themelet e shtetit të së drejtës dhe sigurinë e institucioneve të drejtësisë.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh sot me datë 06.10.2025 për të mbajtur qëndrimin publik vijues: Me dhimbje të thellë Këshilli i Lartë Gjyqësor mësoi për ngjarjen kriminale të vrasjes, në sallën e gjyqit, dhe në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja, Gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Ky akt i rëndë cënon themelet e shtetit të së drejtës, sigurinë e institucioneve të drejtësisë dhe besimin e publikut te gjykatat. Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon me forcë aktin kriminal të vrasjes së kolegut tonë, si edhe thekson se çdo akt që sulmon, apo cenon integritetin e gjykatave, dëmton gjithçka që ndërtojmë me punë dhe përkushtim.
Këshilli thekson se respektimi i pavarësisë dhe sigurisë së magjistratëve është gur themeli i shtetit të së drejtës, përmes të cilit garantohet mbrojtja e të drejtave të gjyqtarëve dhe interesi publik.
Cënimi i integritetit fizik të gjyqtarëve përbën sulm të drejtpërdrejtë, jo vetëm ndaj magjistratëve por edhe ndaj shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike, si dhe interesit dhe besimit të publikut.
Dënojmë me forcë një akt të tillë kriminal, si dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes, denigrimin e figurës së magjistratit dhe mungesën e theksuar të respektit ndaj veprimtarisë gjyqësore.
Në këto momente dhimbjeje kolektive ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjarët, të afërmit e viktimës dhe kolegët. Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh mirënjohjen e thellë për solidaritetin e treguar në këtë ditë të vështirë, nga të gjitha institucionet, subjektet dhe individët që shfaqën publikisht respektin e tyre ndaj gjyqësorit,” shkruhet në reagim.
Gjyqtari Astrit Kalaja pasditen e sotme u plagos për vdekje me armë gjatë një seance në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Nga të shtënat u plagosën edhe dy persona, babë e bir të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Kalaja nuk arriti t’iu mbijetonte plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë rrugës për në spital.
Autori i ngjarjes është arrestuar dhe ka pranuar fajësinë. Ai nuk ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes dhe gjatë dëshmisë nuk ka shfaqur pendesë. Ai është shprehur se ishte i detyruar të kryente aktin sepse po humbiste gjyqin.