Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh sot në një mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar rrethanat e ngjarjes së rëndë të vrasjes së gjykatësit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, dhe për të analizuar masat aktuale të sigurisë nëpër gjykata.
Në mbledhjen e sotme, KLGJ vendosi të bëjë publike të gjitha shkresat dhe korrespondencën zyrtare që ka zhvilluar me institucionet përgjegjëse për garantimin e sigurisë në ambientet gjyqësore, me qëllim transparencën dhe informimin e publikut.
Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka bërë me dije se në të gjitha gjykatat e vendit, Policia e Shtetit aktualisht ofron shërbimin e saj vetëm me një punonjës në hyrjen kryesore ku lëvizin palët dhe publiku.
Sipas një VKM-je të datës 28 prill 2010, “Për ruajtjen dhe sigurinë e objekteve shtetërore”, gjykatat duhet të ruhen nga punonjës të Policisë së Shtetit, për të garantuar rendin dhe qetësinë gjatë seancave gjyqësore. Jashtë orarit zyrtar, ruajtja kryhet nga “Illyrian Guard”, e cila është një kompani shtetërore në varësi të Ministrisë së Mbrendshme.
“Duke vlerësuar se gjykatat janë objekte të një rëndësie të veçantë, Këshilli ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se mungesa e prezencës efektive të policisë në sallat e gjyqit krijon risk serioz për sigurinë e gjyqtarëve, stafit dhe publikut”, njofton KLGJ.
Ky institucion, më 2 nëntor 2023, i ka drejtuar një shkresë Policisë së Shtetit dhe për dijeni Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar shtimin e punonjësve të Policisë së Shtetit në ambientet e brendshme të gjykatave dhe sallave të gjykimit gjatë zhvillimit të seancave.
“Në përgjigje, me shkresën nr. 9683/3 Prot., datë 11.12.2023, Policia e Shtetit ka njoftuar se “aktualisht e kemi të pamundur shtimin dhe planifikimin e punonjësve të policisë për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, për shkak të limitit të kufizuar të personelit policor”, njofton KLGJ-ja.
Pas kësaj shkrese, nuk ka patur përgjigje nga Ministria e Brendshme për KLGJ. Për shkak të situatës që ndodhi, Këshilli i Lartë Gjyqësor apelon për përgjegjësi të menjëhershme institucionale nga organet ligjzbatuese dhe ekzekutive, për të garantuar sigurinë fizike të gjyqtarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në proceset gjyqësore.
“Ngjarje të tilla nuk mund të trajtohen si raste të izoluara, ato kërkojnë reagim të fortë, sistematik dhe të koordinuar, në mënyrë që të mos përsëritet më kurrë një humbje jete në sallën e gjyqit, vendi ku drejtësia duhet të mbrohet, jo të rrëzohet”, apelon KLGJ.
Gjyqtari Astrit Kalaja u vra një ditë më parë në sallën e gjyqit në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nga Elvis Shkambi, i cili ishte palë në një proces gjyqësor për konflikt pronësor.