Deputeti i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri ka reaguar pas ngjarjes tragjike që ndodhi këtë të hënë në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja.

Ky është reagimi i parë për ngjarjen që vjen nga radhët e socialistëve.

Në një status në rrjetet sociale Gjiknuri e cilësoi ngjarjen si “tejet të rëndë dhe të trishtueshme”, duke theksuar se ky akt kriminal duhet të marrë përgjigjen më të ashpër nga drejtësia dhe organet ligjzbatuese.

“Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në mjediset e Gjykatës së Apelit në Tiranë është një ngjarje tejet e rëndë dhe e trishtueshme. Gjej rastin të inkurajoj organet e drejtësisë të zbardhin sa më parë ngjarjen dhe të japin dënimin e merituar për autorin. Një akt i tillë kriminal meriton ndëshkim maksimal nga organet ligjzbatuese,” – u shpreh Gjiknuri.

Ai shtoi se kjo ngjarje duhet të shërbejë si “këmbanë alarmi” për të rritur masat e sigurisë në ambientet gjyqësore në vend, për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen.

“Kjo duhet të na shërbejë gjithashtu si këmbanë alarmi për të marrë të gjitha hapat e duhur që të shtohen masat e sigurisë në gjykata për të shmangur përsëritjen e të tilla ngjarjeve tragjike në të ardhmen,” -vijoi ai.

Kujtojmë se Gjiknuri më parë ka qenë pjesë e sistemit të drejtësisë si gjyqtar.