Shoqata Europiane e Gjyqtarëve (EAJ) ka miratuar një rezolutë ku i bën thirrje qeverisë së Shqipërisë që të marrë masa efektive për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve. Rezoluta u miratua unanimisht me kërkesë të Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, i cili u përfaqësua nga dy gjyqtarët Gerd Hoxha dhe Genti Dokollari, në takimin vjetor që po mbahet në Baku nga datat 11-17 tetor.
Në rezolutë thuhet se pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet të sigurojë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e gjyqtarëve kur rrezikohen nga sulme fizike apo kërcënime.
“Pushtetet ekzekutive dhe legjislative kanë detyrimin të sigurojnë të gjitha masat e nevojshme dhe të përshtatshme të mbrojtjes kur funksionet e gjykatave rrezikohen nga sulme fizike ose kërcënime të drejtuara ndaj anëtarëve të gjyqësorit”, thuhet në rezolutë.
Më tej në rezolutë i bëhet thirrje qeverisë që të ndalen kritikat ndaj gjyqtarëve, referuar këtu edhe postimeve të kryeministrit Rama që ka shprehur jo pak kritika për vendimet për lirimin e hapësirave publike.
Ndërkohë, në një reagim nga Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë thihet se kjo rezolutë është një mbështetje efortë për të gjithë gjyqtarët dhe punonjësit e drejtësisë, për të çuar para përkushtimin për dhënien e drejtësisë.
“Kjo rezolutë është shenje e respektit të lartë për kolegun tonë të ndjerë Z.Astrit Kalaja dhe gjithë gjyqtarët shqiptarë, si dhe një mbështetje e fortë për gjithë trupën gjyqësore në veçanti dhe gjithë punonjësit e drejtësisë në përgjithësi, për ta çuar më para përkushtimin tonë në dhënien e drejtësisë!
Kjo rezolutë është një thirrje për reflektim serioz e të menjëhershëm të organeve shtetërore, që kanë detyrë kushtetuese e ligjore të sigurojnë një klime normale pune dhe sigurinë e gjyqtarëve, si gur themeli për një drejtësi të pavarur”, thuhet në reagimin e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë.
Gjyqtari Astrit Kalaja u vra më 6 tetor në sallën e gjyqit, menjëherë sapo dha vendimin për një konflikt për çështje pronësie. Autori i vrasjes është 30-vjeçariElvis Shkambi, familja e të cilit ishte palë në një proces gjyqësor për një konflikt pronësie prej vitesh.
Rezoluta e plotë e Shoqatës Evropiane të Gjyqtarëve
Në mbledhjen e saj në Baku më 14 tetor 2025, Shoqata Evropiane e Gjyqtarëve (“EAJ”) u informua nga anëtari i saj, Unioni Shqiptar i Gjyqtarëve, për vrasjen e fundit të një gjyqtari në një gjykatë apeli në Shqipëri, Astrit Kalaja, i cili u qëllua me armë ndërsa po shpallte një vendim. Delegatët e pranishëm u tronditën nga ky lajm dhe shprehën ngushëllimet e tyre për familjen, miqtë dhe kolegët e gjyqtarit.
Delegatët shprehën gjithashtu shqetësim të thellë kur mësuan rrethanat në të cilat ndodhi ky akt. Përveç faktit që sistemi gjyqësor është nën presion për shkak të mungesës së gjyqtarëve si rezultat i procesit të rivlerësimit (vetingut), gjyqtarët kanë qenë së fundmi objekt i sulmeve publike abuzuese në media nga figura të larta politike. Këto sulme kanë shkuar deri në identifikimin dhe ofendimin e gjyqtarëve individualë, përfshirë publikimin e fotografive të tyre në rrjete sociale. Thirrjet e përsëritura të Unionit Shqiptar të Gjyqtarëve dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor për t’i dhënë fund këtyre sulmeve publike ndaj anëtarëve të gjyqësorit janë injoruar, dhe për pasojë, besimi i publikut në sistemin gjyqësor vazhdon të gërryhet, ndërsa gjyqtarët detyrohen të punojnë në një mjedis armiqësor nga ana e opinionit publik.
E papranueshmëria e një sjelljeje të tillë është e vetëkuptueshme. Standardet evropiane janë të qarta:
(i) “Ndërsa kritika objektive ndaj gjykatave dhe vendimeve të tyre është e lejueshme, nuk është e pranueshme që pushtetet e tjera në shtet të kritikojnë gjyqësorin në një mënyrë që minon pavarësinë, autoritetin gjyqësor ose besimin e publikut te gjyqësori dhe që nxit mosbindje apo edhe dhunë ndaj gjyqtarëve.”
(ii) “Pushtetet ekzekutive dhe legjislative kanë detyrimin të sigurojnë të gjitha masat e nevojshme dhe të përshtatshme të mbrojtjes kur funksionet e gjykatave rrezikohen nga sulme fizike ose kërcënime të drejtuara ndaj anëtarëve të gjyqësorit.”
Prandaj, EAJ i bën thirrje qeverisë së Shqipërisë:
• të garantojë respektimin e pavarësisë gjyqësore;
• të ndalojë kritikat e pajustifikuara, kërcënimet dhe sulmet ndaj gjyqtarëve; dhe
• të marrë masa efektive për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve.