Dalin të tjera detaje në lidhje me vrasjen e pronarit grek të një kampingu, 68-vjeçar, dhe punëtorit të tij shqiptar. Autori i dyshuar, pas krimit, është larguar drejt Athinës duke përdorur rrugë dytësore.
Policia greke ka siguruar pamje nga kamerat e sigurisë, të cilat tregojnë se autori është parë në Athinë. Aktualisht, një ekip i specializuar nga Kallamata po bashkëpunon me Departamentin e Vrasjeve në Atikë për të identifikuar dhe arrestuar autorin, si dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Hetimet kanë zbuluar një testament të shkruar me dorë nga pronari grek, vetëm tre ditë para ngjarjes. Kjo ka shtuar dyshimet e policisë mbi motivin e mundshëm të vrasjes. Në dokumentin e lënë, 68-vjeçari shkruan: “Unë shkruaj testamentin tim në rast vdekjeje të papritur,” duke shprehur frikën për jetën e tij.
Në testament, ai kishte vendosur që pjesën më të madhe të pasurisë t’ia linte nipit të tij, i cili ka qenë dëshmitar në vendngjarje dhe ka shpëtuar. Ai shprehte dashuri të madhe për nipin, të cilin e konsideronte si fëmijën e vet. Gjysma tjetër e pasurisë i lihej punëtorit shqiptar, njëkohësisht mik i ngushtë i viktimës, i cili gjithashtu humbi jetën në ngjarjen tragjike.
Në fund të testamentit, ai caktonte edhe shuma të konsiderueshme për motrën dhe djalin e saj, si dhe për mikun shqiptar, në rast se nipi do të vendoste të shiste pronën.
Autoritetet kanë gjetur gjithashtu një testament tjetër, të hartuar rreth një vit më parë dhe të vulosur. Ky dokument po krahasohet me testamentin e fundit për të kuptuar më shumë rreth sfondit të ngjarjes.
Vrasja ndodhi mbrëmjen e së dielës së kaluar, kur autori hyri me forcë në ambientin e pritjes së kampingut. Ai qëlloi për vdekje fillimisht pronarin grek dhe më pas punëtorin shqiptar, i cili tentoi të arratisej. Nipi i pronarit ndodhej gjithashtu në vendngjarje dhe arriti të shpëtonte.