Një event i zhvilluar sot në një nga sallat e Akademisë së Shkencave, ishte një ceremoni nderimi për një personazh mjaft të njohur, por që natyrisht nuk është viral.

Salla e Akademisë ishte plot, e mjaft prej të ardhurve qëndronin edhe në corridor për të ndjekur eventin që nuk ishte aspak i shkurtër apo argëtues, plot 2 orë. Bëhej fjalë me nderimin me titullin “Qytetar Nderi i Dibrës” së Elmaz Lalës.

Një intelektual, i cili njihet si njeriu që fuqizoi dhe modernizoi arsimin në zonë, përkatësisht nga vitet 80-90 të shekullit të shkuar, e më pas, me rrëzimin e komunizmit ishte kryetari i Partisë Socialiste të Dibrës. Në event, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve ishin natyrisht të moshës 50 vjeç e sipër, por kishte edhe të rinj. Kishte akademikë, kishte intelektualë, artistë të njohur, e padyshim njerëz normalë e jo shumë të njohur.

Ardhja në një takim të tillë, në një ditë me shi, fundjavë, ku një pjesë e madhe vinin nga larg, nuk është gjë tjetër veçse influencë magnetike që ka tërhequr personazhi që i kishte ftuar. Kjo quhet një influencë horizontale, ku njerëzit në komunitet krijojnë lidhjen e komunikimin e tyre pa interesa direkte klienteliste apo të ngjashme me ta. Sot, në një ditë të shtunë, me shi, e me Tiranën e bllokuar në trafik, asnjë parti në Shqipëri, madje edhe nga më të mëdhatë nuk e mbush sallën tumllas siç ndodhi sot për respektin njerëzor për Elmaz Lalën.

I gjithë ky komunitet, që ishte pluralist dhe jo i polarizuar, megjithatë anonte nga një përfaqësim të majtësh. Ish-deputetë, ish-kryebashkiakë, ish-drejtues të rëndësishëm në territor, të cilët prej vitesh tashmë nuk janë pjesë e jetës politike direkte.

Ky popullaritet i personazheve të tilla, që kanë kontribute të shënuara në komunitetet që kanë drejtuar dhe fushat ku kanë spikatur, konsiderohet një influencë reale, bio, e pandotur me interesat momentale apo tribale të problemeve që sjell jeta.

Sepse është i bazuar në fakte të vërteta e të matshme, siç ishte në këtë rast, Elmazi, i cili në dy pjesët e tij të “pikut” të aktivitetit ka lënë shenjë. Në rritjen e modernizimit të arsimit në territor, afrimin e intelektualëve në drejtim e menaxhim, që solli rezultate reale në një zonë mjaft të populluar si Dibra. E cila nisi të konkurrojë me rezultate të larta me zona të tjera të vendit, që kishin në historik të gjatë ekselence. Më pas, kur mori kreun e PS-së nga gërmadhat e vjetra puniste, Lala ringriti polikisht opozitën, e cila në Dibrën e banditëve të “profesorëve” të SHIK-ut e ushtrisë ishte vënë në terror, në një parti qeverisëse. Duke fituar vetëm pas 4 muajsh nga 22 marsi 1992 bashkinë e Peshkopisë me një referendum politik real, me mbi 50% të preferencave. Kjo nuk erdhi rastësisht, por sepse thirri në drejtim intelektualë e personazhet të njohur të zonës, që sollën një frymë të re dhe të qetë. Frymë që u pranua menjëherë nga komuniteti. Kjo influencë e treguar sot, duhet thënë vjen kur personi në fjalë, nuk ka pasur pushtet ekzekutiv asnjëherë, pra që “të ketë bërë ndere klienteliste”. Përkatësisht nuk ka qenë as deputet as kryetar bashkie e as ministër.

Ndërkaq, sot në politikën shqiptare, nuk kemi politikanë me fuqi direkte në territor, por influencera që luftojnë njësoj si vajzat e shovvbis-it, për popullaritet vertikal. Përkatësisht për lajke, share apo sa më shumë “K” në rrjetet sociale.

Politika jonë është bërë thuajse prej vitesh një one man shovv. Ku politikanët e lartë nuk janë gjë tjetër veçse Stend up komedianë që duan të ngazëllejnë popullin e tyre. Edi Rama dhe Sali Berisha, janë realisht dy stend up komedianë shumë të suksesshëm në popullin e tyre. i cili është i mësuar me batutat e zakonshme dhe i ndjek papushim, siç ndodh me komedianët e njohur në televizionet botërore, që çdo fundjavë kanë të njëjtën audiencë, e cila e ka si një racion të paprekur mbushjen me batutat e përhershme.

Por e keqja është se këtë logjikë e kan kopjuar edhe politikanët e nivelit të dytë e më poshtë. Gazment Bardhi përshembull, është një politikan që ka treguar se influence i ka rënnë në mënyrë progresive në territor, por ai rrit vijëmisht dozën e protagonizmit personal në ditën e enjte kur është shfaqja e parlamentit. Zoti Koreshi po ashtu nuk vijon të sjellë nota sa më ngjyruese nga humori myzeqar e kështu me radhë. Kjo ja vlen të thuhet për opozitën, pasi ajo nuk e ka pushtetin për të instaluar influencën e saj në territory. Siç e ka mazhoranca, e cila e ka më të lehtë të mbushë sallat të shtunën me shi. Mjafton të marrë telefonat e nëpunësve nga drejtorat përkatës. Edhe drejtuesit politik të qarqeve, këta sekretarë të parë shëtitës, rritjen që kanë siguruar në zgjedhje, e kanë bërë vetëm duke punuar për një kuotë votuesish. Pasi baza dhe thelbi i elektoratit janë ata njerëz që sot shkuan për të nderuar Elmaz Lalën.

Por gjasat janë që nuk do të vazhdojë gjithmonë kështu, edhe pse klasa e vjetër politike kërkon të rrijë me zor që të ngazëllejë ndjekësit. Ata janë gjithnjë e më pak, e po e shikojnë si tragjike shfaqen e komedianëve të vjetër./ TemA