Sali Berisha ka kohë që po shpërndan në median e tij, pore dhe në establishmentin “diplomatik” pranë tij, idenë se Edi Ramën, amerikanët duan ta arrestojnë. Sot e tha hapur që Rama s’ka shkuar në SHBA se do e merrte FBI, ndërkohë që në mediat pranë tij ky narracion ka kohë që lëvrin.

Një fabul që dëgjuar nga një vëzhgues i ftohtë që nuk e njeh realitetin shqiptar do ta bënte të vendoste duart mbi kokë. Pasi kryeministri është kontigjent për t’u kapur nga FBI, kurse kandidati për kryeministër është shpallur non grata familjarisht përjetësisht nga qeveria e SHBA-së për tre nga krimet më të mëdha që ekzistojnë siç është korrupsioni madhor, minimi i demokracisë dhe pengimi i drejtësisë.

Për një shtet që është aleat i ngushtë me SHBA, ky aspekt është një dramë në vete. Një dramë që nëse besohet Berisha, atëherë e nxjerr Amerikën si një shtet të dështuar. Por kush realisht e beson këtë narracion dhe pse Berisha po synon ta theksojë fabulën e Ramës “të papranuar në SHBA”.

Shumë e thjeshtë; sepse lobimi i tij për të hequr non gratën ka dështuar totalisht. Nëse nuk do të ishte kështu, atëherë qoftë doktori, qoftë establishment pranë tij, nuk do të shqetësohej shumë për trajtimin e kundërshtarit, por do të kujdesej për avancimin e axhendës amerikane të vetes. Axhendë që nuk ekziston.

Madje, aktualisht, ndërkohë që e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë ka takuar Edi Ramën sapo ka marrë mandatin e 4, Niko Peleshin sapo u zgjodh kryeparlamentar, Elisa Spiropalin sa u zgjodh ministre e Jashtme, Albana Koçiun sa u zgjodh ministre e Brendshme, Besford Lamallarin sa u zgjodh ministër i Drejtësisë dhe madje edhe Toni Gogun sa u zgjodh ministër i Marrëdhënieve me Parlamentin.

Nga ana tjetër, kryediplomatja amerikane në Tiranë Vanhorn nuk ka zhvilluar asnjë takim zyrtar me PD, qoftë me Sali Berishën, Gaz Bardhin apo eksponent tjetër. Nuk janë sinjale këto? Po atëherë kush janë sinjalet që masin apo tregojnë raportet mes palëve?

Nuk ka asnjë gjë që opozita të bëjë politike me sentimentin pro amerikan në politikë, duke u treguar më “katolike se Papa” duke vënë edhe më shpatulla për muri Edi Ramën për batutat e Kogenhagenit. Por ku do t’i çojë kjo opozitë qëndrimet për të sulmuar Ambasadën amerikane, apo deklaratat për zyrtarë të lartë të SHBA, që edhe pse janë kryer për t’i bërë servilizëm republikanëve të MAGA?

Gjithsesi batuta e Ramës në Danimarkë, duket se ka shërbyer si një dopio ultrakorten pas lajmit se Tony Blair dhe Jared Kushner, dy miq të afërt të Edi Ramës, kanë qenë me presidentin Trump prej 1 muaji në zyrën Ovale për të mbyllur planin e paqes së Gaza-s. Lajme që kanë nxirë edhe më shumë qiellin opozitar dhe ulur temperaturat vjeshtore, por që pikërisht nga një vend i ftohtë erdhi bubullima që ngazëlleu “popullin e 2 marsit”.

E sipas të gjitha gjasave do të jetë një material elektoral për të gjith fushatën e nëntorit për Bashkinë e Tiranës. Mjedis që mund të prishet thjeshte me një zoom nga Kusneri apo zyrtar tjetër, por që nuk ka gjasa të mbyllet.

Ngase problemi është subkonshencial, është kompleksi i moskalimit të oqeanit nga opozita, edhe pse nuk është kursyer për asgjë që ka ngritur ato re të zeza mbi selinë e vjetët të SHQUP, ku ka ora që janë kurdisu me orën e DC, si dhe ku gjallojnë mashtrues nga përtej oqeanit. Të cilët me pasaportën amerikane i bëjnë karshillëk doktorit.

Mirë Pilinçi, që ja ta zëmë se e ka futur dikush jashtë opozitës, po mbretërori Kujtim Gjuzi, pse e sfidoi Berishën se mund të heq non gratën? Ja pra që gjendja është e vështirë, shumë e vështirë./Tema