Sali Berisha ka ndërtuar një strategji komunikimi që është në natyrën e tij 35 vjeçare ndaj drejtësisë. Ai sulmon egërsisht çdo gjyqtar apo prokuror që guxon që të hetojë mbi të apo njerëzit e tij, apo gyqtar që ka në dorë një çështje ndaj tij.
Rasti i Irena Gjokës është ilustrimi më konkret i kësaj strategjie, ku kreu i PD-së, agreson me batare të gjata dhe të pandërprera, një gjyqtare të GJKKO-së, e cila ka trajtuar dhe trajton çështjen penale ndaj tij. Ky akt nuk është gjë tjetër veçse një vepër penale e shkruar e bardha mbi të zezë. Por përveç kësaj është një aggression verbal, që krijon një klimë dhe efekt domino në radhët e prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë në dorë çështje ndaj ish-Presidentit dhe ish-kryeministrit.
Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, i cili është organi më i lartë i qeverisjes së gjyqësorit, i cili ka në kompetencë edhe mbrojtjen e të gjithë personelit të drejtësisë. KLGJ ka bërë një mbledhje sot, ku asnjë fjalë nuk ka nxjerrë mbi shantazhin që vijon t’i bëhet nga kreu i PD-së një gjykatëse kundër krimit dhe korrupsionit.
Njëjtë ndodh edhe me KLP-në, që nuk flet asnjë fjalë për sulmet e egra të Berishës ndaj Altin Dumanit, apo prokurorëve të tjerë që kanë çështje ndaj tij, si Arben Kraja apo të tjerë.
Kemi parë deklarata jo të ndrojtura të drejtuesve të këtyre dy institucioneve ndaj Edi Ramës, kur kryeministri ka komentuar vendime apo mosveprime të prokurorëve a gjyqtarëve të caktuar.
Por asnjëherë një qëndrim institucional ndaj këtij shantazhi, që është kthyer në një strategji e caktuar, e cila ka arritur frytet e veta, duke frikësuar anëtarë të institucioneve të drejtësisë.
Sipas të gjitha gjasave, edhe heshtja e KLGJ dhe KLP nuk ka përgjigje tjetër veçse efekt direkt i strategjisë së Sali Berishës. Pra një frikësim se nëse flasin, sulmi do të thellohet, e do të vijohet siç ndodh me kolegen e tyre.
Që do të thotë tekstualisht, se këto institucione nuk kanë aq kurajo sat ë krejnë detyrën normalisht. E në këtë rast, institucioni që duhet të marrë në dorë këtë situatë të rëndë, është ai që zgjedh krerët e këtyre institucioneve. Pra Parlamenti i Shqipërisë, përkatësisht Komisioni i Ligjeve, por edhe seanca plenare.
Kritika ndaj gjyqtarëve, një vendimi, apo edhe ndaj anëtarëve të veçantë të gjyqësorit ndodhin edhe në vende të ndryshme të botës. Por jo rast kur një politikan që është në process gjyqësor të sulmojë e shantazhojë gjyqtarin e çështjes.